Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas deklarimeve të fundit të kryeministrit Albin Kurti, i cili për gazetën italiane “La Repubblica” ka thënë se ekziston rreziku për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka hedhur kritika të ashpra ndaj Kurtit.
Ai tha se Kurti flet për luftë e jo për integrime apo investime.
“Kurti flet për luftë. Ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot. Jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë. Kaq për mesazhin tonë nëpër botë”.
“Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë”, u shpreh Abixhiku.
Sipas tij, Kurti dëshiron krizë.
“Ky njeri e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin tek paniku. Sikurse Vuçiqi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshtarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?”, tha deputeti i LDK-së.
Më tej Abdixhiku theksoi se Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim, e jo mesazhe paralajmëruese për luftë.
“Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më”.
Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim. Shteti ynë përveç sigurisë vetanake ka dhe aleancën më të madhe ushtarke, atë të NATO-s, që garanton sigurinë tonë territoriale ndaj çdo agresioni të mundshëm. Kjo është e vërteta jonë; dhe këtë të vërtetë duhet ta ushqejmë çdo ditë – duke forcuar veten në siguri e duke përforcuar aleancën me NATO-n si synim historik”, deklaroi ai.
Avdixhiku konsideron se paniku ndërkombëtar rreth Kosovës së luftës e krizës e destabilitetit është interes veç i Vuçiqit e i Serbisë./Telegrafi/