Kosova nuk duhet të jetë peng kolektiv i një çmendurie politike populiste që po nxitë vetëm frikë, zymtësi e tension, ka thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ai pas takimit që ka mbajtur me 5 degët e LDK-së në Prishtinë, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për frikë e tension, por për zhvillim.
“Kemi nevojë për maturi. Kemi nevojë për rrugëtim euroatlantik. Kosova ka nevojë për “Rrugën e Re”- programin më ambicioz politik në vend. Në momente kritike politike, aktivizimi ynë politik bëhet domosdoshmëri. Në momente kritike politike, mbështetja për LDK-në është domosdoshmëri. Lidhja është e fortë, koha jonë po vjen”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka postuar disa fotografi në Facebook nga takimi me strukturat e partisë, duke shkruar se “ka thirrur në takim strukturat udhëheqëse të 5 degëve”.
“U bëmë bashkë si përgjigje ndaj thirrjes për organizim të gjerë partiak; si domosdoshmëri e zgjerimit të aktivitetit në terren në këtë vit të rëndësishëm zgjedhor nacional. Takova Kryesitë e Degëve, Kryetarët e Nëndegëve, Deputetët e Kuvendit të Kosovës me bazë në Kryeqytet”, ka shkruar ai në postim.
Ai po ashtu treguar se bashkëpunëtorët e tij në LDK janë profesionistë të vërtetë dhe politikanë të pastër e të ndershëm.
Abdixhiku ka shkruar se me të tillë bashkëpunëtorë, njeriu mburret të ndajë një rrugëtim bashkë.
“Natyrisht, përbashkimi ynë, rritjet tona, punët e mbara që i bëjmë, na i vënë kundërshtarët përballë. Aty bëhen të gjithë bashkë kundër nesh; sikurse tash, sikurse bëheshin gjithherë. Aty provojnë besimin e votuesve të Kryeqytetit për LDK-në, ta rrëmbejnë në tavolinë. Çfarë s’kuptojnë është se koha e një politike të tillë ka marrë fund! Nuk do t’i lëmë ta bëjnë këtë politikë model në Prishtinë. Prishtina dhe Lidhja Demokratike kanë rigjetur veten. Tani është koha që këtë lidhje ta forcojmë në gjithë vendin”, ka shkruar kreu i LDK-së.
Abdixhiku ka paralajmëruar se këtë vit LDK do të jetë në terren, siç ka shkruar ai “në çdo lagje, në çdo hyrje, në çdo shtëpi të Prishtinës”.
“Të flasim zëshëm, bindshëm, dhe me mburrje se formacioni i vetëm pavarësist në vend, është adresa e vetme e normalitetit dhe zhvillimit”, ka shkruar Abdixhiku.