Site icon Telegrafi

Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj shprehin dhimbje pas tragjedisë në Jabllanicë, kërkojnë hetim të plotë

Liderët e partive opozitare, kanë reaguar pas tragjedisë në Jabllanicë të Gjakovës, ku humbën jetën tre fëmijë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se në këto momente zie, jemi pranë familjeve të vitktimave.

“Dhembje e pafund për vdekjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës. Në këto momente zie, jemi pranë familjeve të tyre me zemër e mendje, për të ndarë dhembjen e tyre të madhe. Ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë. Zoti ju dhashtë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, ka shkruar Krasniqi

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shprehi gjithatu ngushëllime familjeve të viktimave.

“Me dhimbje e pikëllim të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e tre fëmijëve në tragjedinë në Jabllanicë të Gjakovës. Në emër të gjithë anëtarësisë së LDK-së, ju shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve, ndërsa në këto momente të vështira, qëndrojmë pranë tyre dhe lutemi që ta përballojnë këtë humbje të madhe”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga organet kompetente të zhvillojnë hetim të plotë dhe të shpejtë për të sqaruar rrethanat e kësaj tragjedie.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas këtij rasti tragjik. Ai ka ndarë dhembjen me familjet e tre fëmijëve të cilët humbën jetën.

“I tronditur nga tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës. Bashkëndjejmë me familjet Rama, Mehmeti e Morina, që humbën fëmijët. Zoti ju lehtësoftë dhembjen”, ka shkruar Haradinaj.

Reagime për këtë rast ka pasur edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. /Telegrafi/

Exit mobile version