Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka shprehur qëndrimin lidhur me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazike.
Abdixhiku gjatë një vizite në njërin prej tregjeve të Prishtinës tha se për qytetarët kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme.
Ai përmes një shkrimi në Facebook thotë se rritja e çmimeve që ka ndodhur gjatë dy viteve është diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.
“Me këtë pushtet, mijëra njerëz po përpiqen fort t’i bëjnë ballë rritjes së paprecedentë të çmimeve. Përgjatë dy viteve të shkuara, norma mesatare e inflacionit në Kosovë ka arritur në mbi 20 për qind, përderisa çmimet e produkteve bazike janë rritur për mbi 50 për qind. Kaq shumë ndryshim në kaq pak kohë, nuk ka pasur asnjëherë. Pavarësisht kësaj rritjeje, Qeveria nuk ka ofruar asnjë zgjidhje dhe jetën e dinjitetshme që familjet kosovare e meritojnë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai thotë se propozimet e LDK-së për këtë çështje janë refuzuar deri më tani.
“Ato u refuzuan jo sepse nuk ishin adekuate, por sepse ishin të LDK-së”, shtoi ai.
I pari i LDK-së ka kërkuar reflektim nga Qeveria në uljen e TVSH-së për produktet bazike.
“Nuk mund të vazhdojmë kështu. Duhet të heqim TVSH-në në produktet bazike, të ulim çdo barrë tatimore tani, dhe t’i rrisim pagat në përputhje me inflacionin. Ky është plani i LDK-së, një plan në anën e familjeve dhe njerëzve punëtorë”, ka përfunduar Abdixhiku. /Telegrafi/