Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në mesin e shumë takimeve sot që ka zhvilluar me ambasadorët e shteteve mike të Kosovës, takoi edhe ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nikolas Abbott.
Osmani me këtë rast tha se Britania e Madhe ka ndihmuar shumë institucionet e Kosovës dhe pret që ky bashkëpunim të thellohet edhe në të ardhmen.
“Biseduam për bashkëpunimin edhe ndërparlamentar, pra ndërmjet parlamentit dhe atij të Mbretërisë së Bashkuar, duke u fokusuar në çështjet konkrete që kanë të bëjnë me përmirësimin apo mbështetjen e institucioneve të pavarura. Mbretëria e Bashkuar nëpërmjet ambasadës së saj këto vite kanë ndihmuar shumë institucionet e Kosovës, në mënyrë që të sigurojmë këtë pavarësi të institucioneve dhe natyrisht ne tentojmë që të bëjmë të pamundurën që ky bashkëpunim vetëm të përmirësohet dhe të thellohet”, tha Osmani.
Ndërsa, ambasadori Nikolas Abbott ofroi mbështetje të vazhdueshme për Kuvendin e Kosovës.
“Do të mbështesim gjithmonë Kuvendin e Kosovës, është një institucion shumë i rëndësishëm për ju dhe për ne, dhe unë shpresoj se do kemi një bashkëpunim të madh së bashku. Është një objektiv shumë e mirë”, tha Abbott.
Gjatë ditës së sotme kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani u takua edhe me ambasadorin e Shqipërisë, Qemajl Minxhozi, ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt dhe atë të Italisë, Nicola Orlando. /KP/