Me ftesë të Aleancës Kosovare e Bizneseve (AKB), kryeministri malazez me mandat teknik, Dritan Abazoviq për tri ditë do të jetë për vizitë në vendin tonë.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini në një konferencë për medie tha se vizita e Abazoviqit ka karakter ekonomik dhe politikë.
“AKB-ja ka rritur komunikimin me Malin e Zi, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ekonomik. Vizita ka karakter ekonomik, politikë dhe kulturor, e që do të organizohen 20 aktivitete për datat 13, 14 dhe 15 prill”, tha Shahini.
Sipas tij, kryeministri malazez do të bëjë vizita në disa biznese vendore.
“Ishim ditë më herët në vizitë në Mal të Zi dhe kemi ngritur problemet e disa çështjeve. Janë rritur investimet nga dy anët. Do ta nënshkruaj një marrëveshje me AKB-në dhe do të ketë disa vizita me bizneset në Kosovë dhe Shqipëri”, shtoi ai.
Ndërsa, afaristi Gazmend Abrashi tregoi se Abazoviq do të takohet edhe krerët e shtetit.
“Agjenda e takimit është gjithëpërfshirëse i përcjellë me tri ministrat e dikasterit dhe nga kryetarët e Ulqinit dhe Tuzit. Do të ketë takim me kryeministrin Albin Kurti dhe shpresoj që të takohet edhe presidenten e shtetit”, tregoi Abarashi.
Në fund, Suat Berisha nga Universum tha se ky kolegj do t’ia ndaj çmimin “Honoris Causa”.
“Universum, nesër në ora 12:00 do ta ndaj çmimin ‘Honoris Causa’ për kryeministrin Abazoviq me motivacion të lidershipit botëror”, përfundoi Berisha. /Telegrafi/