Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit malazez, Vladimir Leposaviq rreth gjenocidit në Srebrenicë.
Bëhet fjalë për deklaratat e ministrit malazez të Drejtësisë dhe të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Vladimir Leposaviq, i cili kishte thënë të premten se do të pranonte që ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë vetëm kur t’i heq dyshimet rreth Tribunalit Ndërkombëtar të Drejtësisë.
Leposaviq i ishte referuar raportit të deputetit zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Martyt, përcjell Telegrafi.
“Tribunali i Hagës e ka humbur plotësisht legjitimitetin kur zhduki provat e raportuesit të Këshillit të Evropës për trafikimin e organeve të viktimave civile serbe në Kosovë”, kishte pretenduar Leposaviq.
Dhe lidhur me këtë, Abazoviq ka shkruar: “Gjenocidi ndodhi në Srebrenicë. Qeveria e Malit të Zi respekton të gjitha gjykimet dhe konventat ndërkombëtare. Nuk ka asnjë diskutim për këtë. Ai që nuk e kupton këtë, nuk ka vend në funksionet shtetërore. Le të shohim kah e ardhmja, kemi shumë punë për të bërë!”, ka shkruar Abazoviq në Twitter.
Genocide took place in #Srebrenica.@VladaCG respects all international judgments and conventions. There is no discussion about that.
The one who does not understand this, has no place in state functions.
Let’s look to the future, we have a lot of work to do!
— Dr Dritan Abazovic (@DritanAbazovic) March 30, 2021
Ndryshe, edhe Bashkimi Evropian kishte hedhur poshtë dhe dënuar çdo mohim, relativizim ose keqinterpretim të gjenocidit të Srebrenicës.
Kështu ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero Hernandez pas deklaratave të ministrit Leposaviq.
“Vitin e kaluar ne shënuam 25 vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, një nga kapitujt më të errët në historinë moderne evropiane. Është koha që të gjithë udhëheqësit politikë në rajon të udhëheqin në rrugën e nderimit të viktimave dhe promovimin të pajtimit”, kishte thënë Pisonero. /Telegrafi/