Në Nikshiq është hapur fabrika e vodkës Beluga, ku më shumë se 200 punëtorë tashmë janë të punësuar në prodhim, administrim dhe logjistikë.
Fabrika u hap nga kryeministri me mandat teknik Dritan Abazoviq dhe Alexander Machetin, investitor dhe themelues i kompanisë nga Rusia, Noblewood Adriatic.
Hapja e fabrikës ruse në Mal të Zi, në kohën kur Rusia është nën sanksione për shkak të agresionit kundër Ukrainës, nuk është e kontestueshme për kryeministrin Abazoviq.
“Fakti se Rusia është nën sanksione nuk do të thotë se të gjitha kompanitë dhe banorët e tyre janë nën sanksione. Ekziston lista e kompanive dhe individëve që janë nën sanksione. Ne kemi edhe turistë rusë në Mal të Zi. Ne nuk mund t’i ndalojmë ata që nuk janë nën sanksione të hyjnë ose të bëjnë biznes në Mal të Zi”, tha Abazoviq, transmeton REL.
Prodhuesi rus i alkoolit Beluga Group bleu një pjesë të kompanisë Neksan në Nikshiq, të biznesmenit kontrovers Miodrag Daka Davidoviq, në gusht të vitit të kaluar, kur ishte paralajmëruar një investim prej 50 milionë eurosh.
Pronari i kompanisë Neksan, biznesmeni Miodrag Davidoviq, është një nga donatorët më të mëdhenj të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Ai është ish-shef i policisë së Nikshiqit dhe bashkëpunëtor i të burgosurit të Hagës Radovan Karaxhiq, gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Në gusht të vitit 2022, Qeveria e Malit të Zi i tha Radios Evropa e Lirë se biznesmeni Alexander Mechetin nuk është në listën e qytetarëve rusë që i nënshtrohen sanksioneve të vendosura ndaj atij vendi.
Sipas gazetës “Pobjeda”, qeveria ukrainase u bëri thirrje shteteve që të vendosin sanksione ndaj Mechetinit për mbështetjen e Rusisë përmes bankës kreditore Royal, pronari i vërtetë i së cilës është ai.
Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë konfirmimin e këtij informacioni nga Ambasada e Ukrainës, të cilës i janë drejtuar pyetjet.
Në fund të shkurtit të vitit të kaluar, pas sulmit ndaj Ukrainës, Mali i Zi iu bashkua të gjitha masave kufizuese, duke përfshirë tetë pako sanksionesh individuale dhe ekonomike të miratuara nga Bashkimi Evropian kundër Rusisë.
Gjatë hapjes së fabrikës në Nikshiq, Mechetin njoftoi se janë punësuar më shumë se 200 punëtorë dhe se deri në vitin 2025 do të punësohen 400.
Kryeministri Dritan Abazoviq vlerësoi se me prodhimin e vodkës Beluga nuk do turpëroheshin vendet më të zhvilluara të Perëndimit.
“Ne do të jemi krenarë kur Beluga Montenegro të shfaqet në vitrina në të gjithë botën”, tha ai.
Në shkurt, gjatë një takimi me Abazoviqin në Qeveri, Machetin theksoi se Beluga është një nga 10 markat më të njohura të vodkës në botë, me një xhiro vjetore prej rreth 1,500,000,000 euro.
Në hapjen e fabrikës morën pjesë zëvendëskryeministri Vlladimir Jokoviq dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë dhe lokalë nga Nikshiqi.