Telegrafi

Abazoviq: Gjenocidi nuk është kryer ndaj boshnjakëve, por ndaj njerëzve – atë nuk e bëri ushtria por politika

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i është drejtuar sot familjarëve të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Ai nga atje porositi se është shumë e rëndësishme të pranohet gjenocidi që ka ndodhur 27 vite më parë, dhe se sipas tij atë e ka bërë politika e keqe, transmeton Telegrafi.

Abazoviq fillimisht përshëndeti nënat nga Srebrenica, familjet e viktimave, ministrat dhe anëtarët e korit diplomatik dhe të gjithë miqtë në Bosnje e Hercegovinë.

Kryeministri i Malit të Zi theksoi se në ditën e sotme, 27 vite më parë është vrarë njerëzimi. Në ditën e sotme, siç tha ai në mënyrë simbolike po shënohet ajo që tregon se “sa të ligj kemi qenë”.

Lexo po ashtu Njëzet e shtatë vjet nga masakra e Srebrenicës - vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite

“Atë 11 korrik të vitit 1995 është vrarë njerëzimi, por Bosnja vazhdoi të jetojë. Sot në mënyrë simbolike po shënohet ajo që na kujton sesa të ligj kemi qenë. Sot 27 vite pas kësaj, në Ballkan akoma është fryma e urrejtjes, mbikëqyrjes, ndarjes që për fat të keq po manifestohet në luftime, por edhe në politikë apo ne negociata të urrejtjes”, shtoi Abazoviq.

Kryeministri i Malit të Zi konsideron se e kaluara nuk mund të ndryshojë, por e ardhmja po. Gjithashtu porositi se gjenocidin nuk e ka kryer ushtria, por politika.

“Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por mundemi të ardhmen dhe varet prej nesh nëse duam të jetojmë në Ballkan apo ta shikojmë të vërtetën në sy, të ofrojmë mbështetje për familjet e viktimave dhe që këto gjurmë të na kujtojnë viktimat e pafajshme, jo mbi boshnjakët por mbi njerëzit. Gjenocidin nuk e bëri ushtria, por politika, politika e të keqes. Për këtë duhet ndryshojmë dhe ta shikojmë njëri-tjetrin në sy”, shtoi Abazoviq. /Telegrafi/