Telegrafi

Abazi: Vendimi i Kurtit për tarifën duhet të mbështetet, mundëson platformë të barabartë në bisedimet Kosovë-Serbi 

Zëvendëskryeministri i vendit, Haki Abazi ka reaguar mbrëmë pas vendimit të kryeministrit rreth tarifës ndaj Serbisë, duke thënë se vullneti i mirë i shprehur nga Qeveria e Kosovës, jo vetëm që meriton mbështetje, por është një veprim në drejtimin e duhur për të siguruar një proces për krijimin e një platforme të barabartë për negociata të suksesshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Abazi në një postim në Twitter tha se vullneti i mirë i Qeverisë së Kosovës meriton mbështetje.

“Vullneti i mirë i shprehur nga Qeveria e Kosovës jo vetëm që meriton mbështetje, por është një veprim në drejtimin e duhur për të siguruar një platforme të barabartë për negociata të suksesshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Abazi.

Lexo po ashtu Reagon Grenell: Taksa duhet hequr plotësisht, Kurti është duke bërë një gabim serioz

Komentet e zëvendëskryeministrit të Kosovës, vijnë pas vendimit të Kurtit lidhur me taksën dhe deklaratës së të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Grenell përmes një shkrimi në Twitter, nuk e ka mbështetur Kurtin, duke thënë se pozicioni i SHBA-së është i qartë, tarifa duhet të largohet tërësisht.

Ndryshe, Kurti të enjten në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se më 15 mars taksa do të largohet pjesërisht, ndërsa nëse nuk vepron Serbia dhe BE-ja, taksa rikthehet sërish 100 për qind me 15 qershor. /Telegrafi/