Telegrafi

Abazi: Shpërbërja e Kuvendit, është paradoksalisht mbrojtja më e madhe që i është bërë shtetit

Haki Abazi, anëtari i ri i Vetëvendosjes, ka komentuar shpërndarjen e legjislaturës së VI-të të Kuvendit të Kosovës.

Ai në një shkrim të bërë në Facebook ka falënderuar deputetët e LDK-së dhe VV-së, për votën e tyre sot pro shpërndarjes së Kuvendit, transmeton Telegrafi.

Abazi ka thënë së shpërndarja e Kuvendit të Kosovës, paradoksalisht është mbrojtja më e madhe që i është bërë shtetit, pavarësisë, Kushtetutës dhe integritetit territorial.

“Sot ka vdekur përgjithmonë ideja për ndarjen e Kosovës, dhe është filluar etapa e ndryshimit më të madh dhe çlirimit të vërtetë të Kosovës. Ky vërtetë është rasti për të avancuar shtet-ndërtimin dhe për të përmirësuar gabimet, e kjo nuk ndodh shpesh, ky është moment që kërkon përgjegjësi historike, për të hequr të keqën dhe mjegullën që ka verbuar shikimin rreth e rrotull nesh”, ka shkruar ai.

Abazi po ashtu ka folur edhe rreth krijimit të koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike.

Sipas tij, koalicioni VV-LDK është tregimi më thelbësor i fillimit të dekadës së dytë të pavarësisë së shtetit tonë.

“Kjo marrëveshje do të jetë treguesi i pjekurisë politike si lider dhe si popull. Me këtë koalicion, gjërat nuk do të bëhen kopsht me lule menjëherë, por, kopshti i luleve do të jetë i sigurt dhe shpresa e çdo qytetari që e do veten, familjen, vendin dhe kombin tonë, do të rritet deri në pikën e vendimit për të sakrifikuar, solidarizuar e mishëruar me qeverisjen e koalicionit LVV-LDK. Kështu bëhemi bashkë, kështu jemi të fortë dhe kështu jemi të respektuar nga të gjithë, vetja edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, vijon shkrimi i Abazit.

Ndërkohë, zgjedhjet e parakohshme pritet të shpallen nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, jo më herët se 30 ditë nga shpërndarja e Kuvendit dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja.

Ndryshe, me 89 vota pro,  një kundër dhe dy abstenime sot u bë shpërndarja e Kuvendit. /Telegrafi/