Telegrafi

Abazi: Procesi i emërimit të ambasadorëve do të përfundojë në javët në vazhdim

Më 19 maj të këtij viti Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i kishte propozuar presidentes Vjosa Osmani të lirojë nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik të gjithë ambasadorët e Kosovës që ishin emëruar politikisht.

E tash kur kanë kaluar tre muaj nga shkarkimi i 13 ambasadorëve të njëjtit ende nuk janë zëvendësuar.

Lidhur me këtë proces, kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e LVV-së, Haki Abazi në një prononcim për Telegrafin tha se ky proces pritet të përfundojë javët në vazhdim.

“Ambasadorët e rinj janë në proces të emërimit dhe ky proces do të përfundojë sipas procedurave në javët në vazhdim. Siç e dini Kuvendi është në pushim dhe sapo të rifilloj punën do të kryej obligimet që i përkasin në procesin e emërimit dhe konfirmimit të ambasadorëve”, tha Abazi.

Lexo po ashtu Opozita e sheh papjekuri të Qeverisë vonesën e emërimit të ambasadorëve të rinj, pozita thotë se procesi do të përfundojë brenda afatit

Ndryshe edhe MPJD ditë më parë kishte deklaruar për Telegrafin se është në fazën finale të përmbylljes së këtij procesi.

Në anën tjetër opozita vonesën e emërimit të ambasadorëve të rinj e ka quajtur papjekuri të Qeverisë Kurti , duke thënë se kjo është një dëm i pariparueshëm për imazhin e Kosovës në botë.

Në mungesë të ambasadorëve nëpër ambasadat në Kosovës, sipas Ligjit ata zëvendësohen nga diplomati tjetër me rangun më të lartë me shërbim në atë mision diplomatik, i cili merr detyrën e të ngarkuarit të përkohshëm me punë. /Telegrafi/