Telegrafi

Abazi: Modeli i dy Gjermanive është i propozuar në vitin 2006 nga qarqet e Beogradit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abaz, ka folur për marrëveshjen e përfolur sipas modelit të dy gjermanive.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Abazi ka thënë se ky lloj modeli është i propozuar në vitin 2006 nga qarqet e Serbisë.

“Marrëveshja sipas modelit të dy Gjermanive është model i propozuar në vitin 2006 nga qarqet e Beogradit. Ky propozim në thelb është gabim dhe i papranueshëm”.

Sipas tij, Kosova mund të pranojë këtë model në raport me Shqipërinë me perspektivën e bashkimit me Shqipërinë si kundërpërgjigjëje ndaj sabotimit të Serbisë dhe shtrirjes së influencës Ruse dhe Kineze në Balkan por asesi në raport me Serbinë.

“Pavarësia e Kosovës është projekt i kompromisit për Paqe dhe jo falje ndaj Serbisë dhe krimeve që ajo ka bërë mbi shqiptarët në më shumë se dy shekuj radhazi”, shkroi Abazi.

Ndryshe, javë me parë, i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se do të ishte i lumtur nëse pjesët e mira të historisë së Gjermanisë do të shfrytëzoheshin për përparimin në dialogun dhe pajtimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton European Western Balkans.

I pyetur nëse “armatura e re” në dialog përfaqëson modelin e “dy Gjermanisë”, ai ka theksuar se do të ishte mirë që Kosova dhe Serbia të mësonin nga përvojat e mira, por edhe nga gabimet e Gjermanisë nga e kaluara.

“Ne gjithashtu kemi bërë gabime dhe duam që Serbia dhe Kosova të mësojnë nga përvojat tona të mira, por edhe nga gabimet tona. Situata në këtë rast është ndryshe nga ajo në Gjermani,” shpjegoi Sarrazin.

Sipas mendimit të tij, “Kosova është një vend që funksionon mirë”, edhe pse siç ka thënë ai ka pasur probleme gjatë verës dhe ka shpjeguar se detyra e tij në Beograd është të diskutojë se ku Serbia nuk po e përmbush sa duhet Marrëveshjen e Brukselit në mënyrë që për të arritur normalizimin e marrëdhënieve./Telegrafi/