Site icon Telegrafi

​Abazi kritikon mos shtyrjen e vendimit për targat ilegale: Është dashur të dëgjohet SHBA-ja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi thotë se me shkallëzimin e vendimit të Qeverisë për konvertimin e targave ilegale të serbëve, Serbisë i është mundësuar të “blejë kohë” në dialog me Kosovën.

Abazi thotë se është dashur që të merren parasysh kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe Bashkimit Evropian që vendimi për targat të shtyhet për dhjetë muaj.

“Tani ky është një cikël në të cilin është vendos dialogu pa çka që është thënë në vazhdimësi që do negociojmë me marrëveshje finale, me njohjen në qendër që mendoj të gjithë pajtohemi dhe kemi mbështet. Ndërkohë ka ndodhë një devijim sikur i paraqitur, i domosdoshëm për targat e për çështjen e letërnjoftimeve dhe unë mendoj që këtu djalli ka qenë brenda idesë të diskutohet kjo çështje pa u kryer marrëveshja finale për të krijuar një situatë që e bën Serbinë të blej kohë. E vërtetë, targat janë ilegale, që Serbia e sfidon idenë e targave të Kosovës me ato që kanë qenë para luftës por mendoj që ka qenë dashtë që të shterohet deri në fund diskutimi për vazhdimin e afatit për dhjetë muaj ashtu siç kishin kërkuar SHBA-ja”, tha ai.

Sipas tij, shtetit nuk do të humbte asgjë nëse do ta shtynte këtë vendim për shkak se do të bënte kompromis me partnerë ndërkombëtarë dhe jo Serbinë.

Madje, Abazi thotë se nëse kjo do të ndodhte, presioni do të drejtohej kah Serbia në mënyrë që kjo e fundit t’i vendoste sanksione Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.

“Ishte hera e parë pas asaj shtyrjes njëmuajshe që kishte një plan për dhjetë muaj që do ta vendoste Serbinë me shpatulla për muri edhe për çështjen e sanksioneve sepse kjo do të lejonte që Serbia të vendosej drejt hijeve të sanksioneve ndaj Rusisë dhe e dyta që hapësira manovruese e Serbisë do të ishte minimale pasi që ishin kryer krejt procese brenda kësaj periudhe 10 mujore”, shtoi ai në TëVë1.

Exit mobile version