Site icon Telegrafi

Abazi: Gjatë agjërimit të Ramazanit besimtarët marrin energji pozitive (Video)

Muaji i shenjtë i Ramazanit të cilin besimtarët e fesë islame e agjërojnë, ka virtyte të ndryshme. Ky muaj në fenë islame llogaritet më i dalluarit nga të tjerët.

Duke thënë se agjërimi është kryengritje kundër mëkatit, ku me këtë kryengritje Zoti na thërret që ne të lirohemi nga presionet e mëdha që i kemi përjetuar gjatë gjithë vitit, Imami i xhamisë tek ‘4 Llullat’, Husamedin Abazi ka treguar vetitë e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në një intervistë për Telegrafin, Imami Abazi ka folur për disa çështje, të cilat e karakterizojnë muajin e Ramazanit.

Ai ka thënë agjërimi është njëri nga akumuluesit më të fuqishëm të energjisë pozitive te çdo besimtar dhe besimtare.

Imami Husamedin Abazi gjatë intervistës për Telegrafin

“Kemi hyrë në një muaj të veçantë, madje në zhargonin tonë islam e quajmë si mbret i muajve. Ky muaj karakterizohet me shumëçka, sepse është muaj që Zoti e ka dalluar nga të tjerët, edhe pse të gjithë muajt janë të Zotit, të gjitha ditët po ashtu. Por disa ditë dhe muaj që Zoti i dallon, neve na thërret që të dalim nga rutina. Ftohemi që të akumulojmë energji pozitive në këto data, ditë, javë dhe muaj. Agjërimi është njëri nga akumuluesit më të fuqishëm të energjisë pozitive te çdo besimtar dhe besimtare, prandaj të mundohemi të jemi në nivel të këtij muaji”, ka thënë ai.

Sipas tij pasi që njerëzit janë duke jetuar në një kohë ku mbretëron pasiguria, stresi, tradhtia, agjërimi është i duhuri për t’u qetësuar.

Imami Husamedin Abazi gjatë intervistës për Telegrafin

“Çdo besimtar merret në mënyrë të veçantë me ato gjëra që na kalisin, që të vazhdojmë edhe në muajt e tjerë. Agjërimi është një prej adhurimeve të veçanta në Islam e që Zoti e ka dalluar nga të gjitha adhurimet tjera. Agjërimi është mburojë e besimtarit nga rëniet, lëshimet dhe gabimet. Agjërimi është kryengritje kundër mëkatit, kryengritje në të cilën Zoti na thërret që ne të lirohemi nga presionet e mëdha që i përjetojmë gjatë gjithë vitit. Njerëzit janë duke jetuar në një kohë ku mbretëron pasiguria, stresi. Jemi duke jetuar në kohën kur çështja e tradhtisë dhe e mosbesimit është shumë prezent. Për çdo ditë ne njeriut po ia cenojmë lirinë, dhe agjërimi është mundësi që njeriu ta përjetoj lirinë nga lartë”, ka theksuar ai.

Imami Abazi ka folur për atmosferën në Xhaminë ‘4 Llullat’ gjatë muajit të Ramazanit.

“Ramazani dallon nga të gjithë muajt e tjerë, edhe pse besimtarët ftohen që të jenë njerëz konstant në aspektin e adhurimit, bamirësisë, e humanizmit. Edhe Pejgamberi e ka dalluar me shtimin e intensitetit të adhurimit, me falje të namazit, me lutje ndaj të gjithë atyre që sot janë duke përjetuar katrahura e luftëra të mëdha, padrejtësi ndaj qenieve dhe ndaj fëmijëve. Ramazani është dashur që me mëshirën e tij me atmosferën që afron t’i kaplojë edhe viset tjera. Xhamia jonë dallon shumë në Ramazan, kushdo që e ka parë xhematin e namazit të drekës ka menduar që është ditë e xhuma, por jo nuk është. Është muaji i Ramazanit ku të rinjtë që janë fakultet-linjë, por edhe njerëz të dijës e të shkencës, janë edhe njerëz të xhamisë”, ka thënë ai./Telegrafi/

Exit mobile version