Telegrafi

Abazi: Dejona Mihali është masha e kontrollit të grupit parlamentar të LVV-së, bllokoi Komisionin hetimor për privatizim

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi ka thënë që pavarësisht se është larguar nga disa komisione nuk do të japë votë kundër Qeverisë Kurti.

Ai thotë se lënia jashtë e aktivistëve të LVV dhe vrasja e debatit të brendshëm i ka kushtuar LVV-së në humbje të zgjedhjeve lokale.

Abazi thotë se Kosova ka dështuar edhe në diplomaci derisa sipas tij tensionimi i raporteve me SHBA është real.

“Shpeshherë nuk më është dhënë fjala në parlament dhe unë jam detyruar të protestojë në forma të ndryshme. Nga shkurti i vitit të kaluar kam iniciuar formimin e Komisionit hetimor për privatizim por kjo iniciativë është bllokuar nga Dejona Mihali. Ajo është masha e kontrollit të grupit parlamentar të LVV-së”.

Lexo po ashtu Abazi: Kurti po kërkon njerëz që duan ta rrëzojnë nga pushteti, unë s'kam votë kundër kësaj qeverie

Ai thotë se Mihali nuk ka qenë pjesë e garës për parlament e as në zgjedhjet e brendshme por sipas tij ajo kontrollon Grupin Parlamentar.

“Demokracia e Kosovës nuk mund të varet nga individë të autorizuar nga z. Kurti, që ata të ndikojnë debatin, diskursin demokratike të vendit. Kjo është maja e Ajsbergut për shkarkimin tim nga dy komisionet parlamentare”, ka thënë ai.

“Unë kam pritur që do të ketë reflektim pas humbjes së zgjedhjeve lokale por nuk ka pasur reflektim. Është vazhduar me sabotimin e Komisionit të Jashtëm. E gjitha kjo është bërë nga “Çadra e Gadafit””.

Ai tutje thotë se “Çadra e Gadafit” duke iu referuar Mimoza Kusarit “ka shkatërruar parti, ka përçarë deputetë, e ka votuar marrëveshje të dëmshme për interesin e Kosovës që dikur kanë qenë kauza të LVV-së”.

Abazi ka thënë se ai nuk mund t’i nënshtrohet një agjende të tillë./Telegrafi/