Telegrafi

Abazi, ambasadori i shkarkuar në Australi: Fshesa është përdorur në vendin e gabuar, Kosova mund të ketë pasoja

Hajdin Abazi e ka quajtur si të pavend vendimin e Presidentes, Vjosa Osmani, për shkarkimin e tij nga pozita e Ambasadorit të Kosovës në Australi.

Ai për Klan Kosova ka thënë se këtë të enjte i është dorëzuar dekreti për lirim nga detyra.

“Derisa disa kolegë kanë kryer mandatin e plotë, mua mandati më është ndërprerë në gjysmë. Jam instituicionalist, është vendim i padrejtë por do ta zbatojë konform të gjitha normave”, është shprehur Abazi.

“Duke përcjell zhvillimet në Kosovë kur kanë thënë se do të veprohet sipas ligjit, kam pritur se mandati do të vazhdojë deri në fund. Ministrja Gërvalla sot e tha se mandati është katërvjeçar, por mua më është ndërprerë në gjysmë”.

Lexo po ashtu U shkarkua nga pozita e ambasadorit në Shkup, Gjergj Dedaj: Nuk largohem pa përfunduar mandatin

Abazi ka theksuar se vendimi i Ministrisë së Jashtme dhe Presidencës së Kosovës është i rrezikshëm edhe për diplomacinë e vendit.

“Sipas Ligjit të Ministrisë së Jashtme,  çelësi politik është 50 përqind që mund të jenë kurse 50 përqind duhet të jenë ambasadorë të karrierës. Kur propozon ministri i jashtëm për ambasador, kalon në kuvend, nuk është më ambasador politik, por është ambasador i shtetit të Kosovës”.

“Fshesa është përdorur në vendin e gabuar sepse mund të komprometohet shteti dhe mund të ketë pasoja”, tha ndër të tjera Hajdin Abazi.