Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë (DPMS) i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar lidhur me situatën e sigurisë në vend, duke vlerësuar se “edhe pse autoritetet e sigurisë të Republikës së Kosovës, dalin me kumtesa zyrtare ku anashkalohet fakti se situata aktuale është produkt i dialogut destruktiv, kundër interesave të shtetit”.
“DPMS i AAK-së është i shqetësuar pas deklaratave kërcënuese të zyrtarëve të lartë nga Serbia, si dhe veprimeve të tyre të fundit duke filluar me murin, ndalesës së z. Haradinaj në Francë, trenin – të gjitha këto me konotacion politik, vazhdimësi e ish-pushtetit të diktatorit Millosheviq”, thuhet në kumtesën e AAK-së, transmeton Telegrafi.
Sipas AAK-së, “veprimet e tilla janë provokime të hapura ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial, ndërsa rritja e numrit të ushtarëve serb në brezin kufitar me Republikën e Kosovë paraqet kërcënim direkt për mjedisin e sigurisë në Kosovës dhe rajon”.
“DPMS i AAK-së i mirëpret të gjitha angazhimet shtetërore dhe ndërkombëtare, me theks të veçantë NATO-n, për gatishmërinë e ofruar përball çdo situate në ruajtjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës.
Pra, nevoja që Kosova të bëhet me ushtri është tepër urgjente, gjetja e një opsioni formal, do të nënkuptonte zgjerimin e misionit të FSK-së deri në krijimin e kushteve për transformim të plotë”, thuhet në kumtesë./Telegrafi/