Site icon Telegrafi

AAK: Serbia futet në Kosovë edhe përmes telefonisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të cilin udhëzon Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare që të lëshojë autorizimin e përkohshëm dhe të kufizuar për operim të ndërmarrjes së re ‘MTS’ D.O.O..

Ja reagimi i plotë i AAK-së:

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të cilin udhëzon Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare që të lëshojë autorizimin e përkohshëm dhe të kufizuar për operim të ndërmarrjet së re ‘MTS’ D.O.O., është vendim i papresedencë në praktikat e mira ndërkombëtare, në të cilin Qeveria udhëzon institucionin përgjegjës për rregullimin e komunikimeve elektronike ta çregulloj atë duke shkelur normat dhe standatet në tregun evropian dhe në Ligjin Nr. 04/L-109 PËR KOMUNIKIMET ELEKTRONIKE.

Këto standarde përcaktojnë qartë procedurat dhe mënyrën e fitimit të drejtës për të operuar, bazuar në kornizën rregullatore të BE-së, në kushte të konkurrimit të barabartë dhe të ndarjes së resurseve numerike dhe frekuencore.

Qeveria e Kosovës de fakto udhëzon Autoritetin Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postar t’i shkelë të gjitha këto kritere e procedura për t’i mundësuar shtetit tjetër, Serbisë, të operoj në Kosovë automatikisht, një mundësi që operatorët nuk e kanë as në vet Serbi.

Prandaj AAK e kundërshton fuqishëm këtë vendim të qeverisë, sepse ai është në kundërshtim me të gjitha rregulloret e vendit dhe ndërkombëtare që e rregullojnë këtë fushë. /Telegrafi/

Exit mobile version