Grupi Parlamentar i AAK-së, ka kërkuar nga Prokuroria që të nis hetimet për keqpërdorimet në Ministrinë e Shëndetësisë.
AAK thekson se Qeveria në detyrë dhe Ministria e Shëndetësisë duhet urgjentisht të hetohen për keqpërdorim masiv të fondeve, shkelje të procedurave të prokurimit, favorizim të firmave e kompanive të afërta me ministra të qeverisë.
“Grupi Parlamentar i Aleancës në Kuvendin e Kosovës, fton Prokurorinë̈ e Kosovës të nis hetimet për keqpërdorime. Krahas shumë dështimeve në menaxhimin e pandemisë, duke filluar nga kaosi i orarit për lëvizje, dy shkeljet e Kushtetutës së Kosovës, lejimin e kalimit të kufirit pa kontroll të mjekëve nga vendet fqinje dhe ndalimin e riatdhesimit të shtetasve të Kosovës, pranimin e testeve nga Serbia, Qeveria e shkarkuar dhe Ministria e Shëndetësisë̈ duhet urgjentisht të hetohet për keqpërdorim masiv të fondeve, shkelje të procedurave të prokurimit, favorizim të firmave e kompanive të afërta me Ministra të Qeverisë së shkarkuar etj. Blerja e dorezave në vlerë 20 Euro dhe e dezinfektuesve në vlerë 40 Euro, janë puro korrupsion. Lidhjet e dyshimta njerëzve rreth tenderëve dhe fituesit e këtyre fondeve duhet urgjentisht të hetohen nga Prokuroria e Shtetit”, thuhet në njoftimin e Grupit Parlamentar të AAK-së. /Telegrafi/