Telegrafi

AAK i përgjigjet Pecit pas kërkesës për shkëputjen e kontratës për objektin ku kjo parti kishte zyrat

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pranuar sot kërkesën nga Ministria e Bujqësisë për shkëputjen e kontratës, për objektin ku AAK deri tani ka pasur zyrat në Prishtinë.

Kushtrim Xhemaili, zëdhënës për media në AAK, tha për Telegrafin se janë duke shqyrtuar kërkesen në aspekt juridik.

“Sot e kemi pranuar një kërkesë nga Ministria e Bujqësisë për shkëputjen e njëanshme të kontratës së qirasë e cila është nënshkruar më datë 20.11.2023, sipas kushteve të parashtruara nga vetë Ministria. Jemi në shqyrtim të aspektit juridik të kësaj kërkese dhe shumë shpejt do të ju njoftojmë për veprimet e radhës”, deklaroi ai.

Ndryshe, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, ka njoftuar se ka autorizuar sekretarin e Ministrisë për ndërprerjen përfundimtare të qerasë ku ndodhen zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Me revidimin e kontratës ka qenë edhe mundësi që të rikthejmë rreth 600 metra katrorë dhe me qenë se kemi qenë shumë korret dhe gjeneroz, dhe me qenë se ata kanë pasuar me jomirënjohje dhe jokorrektësi në komunikim me Ministrin e Bujqësisë, sot ne mëngjes Ministria ka marr vendim që përfundimisht të shkëputet tërësisht kontratën me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”, thotë Peci.

Lexo po ashtu Peci ndërprenë kontratën e qerasë me AAK-në, thotë se u kërcënua nga zyrtarët e partisë

Ministri para disa ditësh ka njoftuar se kanë rikthyer rreth 600 metra katrorë ministrisë, ndërsa objekti ishte në shfrytëzim nga AAK. Kurse, nga AAK kishin deklaruar se pjesa për të cilën kishte folur ministri nuk ka qenë duke u shfrytëzuar nga kjo parti./Telegrafi/