Site icon Telegrafi

AAK: Marrëveshja me MCC-në është meritë e ish-kryeministrit Haradinaj – pas bllokadës gati dyvjeçare Kurti qenka mbushur

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me Korporatën amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, me të cilën po tenton që të forcojë pavarësinë energjetike.

Për këtë ka reaguar partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët vazhdimisht kanë kritikuar Qeverinë Kurti për zvarritje të procesit.

Përmes një komunikate, AAK thotë se programi Kompakt është aprovuar në kohën kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër i vendit.

E sipas kësaj partie, pas bllokadës gati dyvjeçare, Kurti qenka mbushur duke e nënshkruar marrëveshjen në fjalë.

“Më në fund pas pothuaj dy vjet bllokadë, Albin Kurti qenka mbushur mend dhe paska vendosur ta pranojë programin Kompakt të aprovuar në kohën e Qeverisë së Ramush Haradinajt. Mirë do të ishte ta kishte pranuar menjëherë e jo pas presioneve të vazhdueshme që ia kemi bërë”.

Lexo po ashtu Nisin negociatat për programim Kompakt me SHBA-në, projekt 200 milionë dollarësh për energjinë

“Por më mirë vonë se kurrë. E pjesa tjetër sikur ky qenka një sukses i qeverisë së tij, nuk është gjë tjetër përpos fukarallëk. Ky është sukses i përbashkët i qeverisë amerikane dhe ish kryeministrit Haradinaj. Kjo jo për t’u lavdëruar apo për meritë, por veç për hirë të së vërtetës”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Ndryshe, ky program do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë, i cili parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.

Marrëveshja e finalizuar në Washington do të nënshkruhet pasi të votohet në Kuvendin e Kosovës dhe të miratohet nga Bordi i MCC-së./Telegrafi/

Exit mobile version