Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka theksuar se propozimi i kryeministrit Isa Mustafa për krijimin e një komisioni të ri për Demarkacionin, është një tjetër mashtrim nga ana e tij.
AAK përmes një njoftimi për media ka thënë se përpjekja e Kryeministrit Mustafa, për të na bindur që Mali i zi është rritur por nuk është zvogëluar Kosova, është ofendimi i radhës që ky njeri provon t’ia bëjë Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Përpjekja e radhës e Kryeministrit Mustafa për të krijuar një komision gjeodetësh të tij, i cili do ta legjitimonte teorinë e tij se Kosova nuk ka humbur territor duke zbritur kufiri nga Çakorri në Kuqishtë dhe nga Kulla në Savino Vodë, është mashtrim ordiner dhe jo përgjegjësi prej burrështetasi që për qëllim ka ta zgjidh një çështje jetike për vendin në të cilin, ai e bart postin e kryeministrit”, thuhet në njoftimin për media.
AAK ka shtuar se nuk mund të bëhet asnjë komision pa u shkarkuar Komisioni „Meha“.
“Nëse ai paska vullnet për ta zgjidhur këtë çështje, së pari duhet ta pranojë dështimin e marrëveshjes për kufirin dhe më pastaj të krijojë një komision që ë trajton këtë çështje nga e para, e jo do farë komisionesh që as nuk dihet çka janë, as çfarë kompetencash kanë, por që për detyrë kanë ta legjitimojnë një marrëveshje që është në kundërshtim me tërësinë tokësore të Shtetit të Kosovës. Kjo është boll ma dhe duhet të ndërpritet menjëherë!”, është thënë në njoftim./Telegrafi/