Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Pejë, ka reaguar lidhur me koalicionin LDK-PDK, për bashkëqeverisje në komunën e Pejës i cili u bë publik dje.
Përmes një komunikate thonë se koalicioni në fjalë është koalicion i ndërtuar fshehtas në muajin shtator të vitit të shkuar.
“AAK – Dega në Pejë dhe kryetari saj Fatmir Gashi, këtë fakt e kanë potencuar para dhe gjatë periudhës së zgjedhjeve lokale.
AAK – Dega në Pejë, koalicionin LDK-PDK në komunën e Pejës, si koalicion i ndërtuar kundër dëshirave të elektorateve të partive përkatëse e konsideron si martesë interesash të individëve dhe grupeve klanore që drejtojnë me këto subjekte në Pejë.
Si i tillë, ky koalicion është edhe një ndërtim pa leje, për ta marrë Pejën në qafë duke çuar deri në fund shkatërrimin total të jetës në këtë komunë dhe duke plotësuar epshet e “dashurisë” Gazmend – Xhavit për interesa të ngushta klanore nën diktatin e Shkumbin Gashit dhe dy tre kallauzëve të tjerë.
AAK, si partia më e madhe opozitare në Pejë, rikonfirmon para elektoratit dhe votuesit të saj, si dhe para të gjithë qytetarëve të komunës së Pejës, se fuqishëm do të qëndroj në mbrojtje të interesave të përgjithshme qytetare, si në Asamblenë komunale ashtu edhe në të gjitha mekanizmat komunal ku subjekti ynë përfaqëson.
AAK në Pejë konsideron se një bashkëqeverisje e tillë, nuk ka jetë të gjatë, jo pse nuk e dëshirojnë shokët e vjetër Gazmendi (që mblidhte vota duke e akuzuar koalicionin PAN) dhe Xhaviti, porse ndarja e ‘tortës’ nuk do arrijë të përmbushë kërkesat e atyre të cilët ndjehen të gënjyer nga kjo ‘dyshe’.
AAK në Pejë konstaton se Marrëveshja e arritur për bashkëqeverisje në Pejë në mes të LDK-së dhe PDK-së fatkeqësisht është marrëveshje për vazhdimin e shantazheve, gënjeshtrave, tenderomanisë, punësimeve partiake, premtimeve boshe marramendëse, e që si të tilla gatuhen në kuzhinat e propagandës së Gazmend Muhaxherit.
AAK siguron qytetarët se do të vazhdoj të paraqesë në opinion e deri në prokurori dhe Gjykatë, duke goditur fort të gjitha dukuritë negative që po ndodhin në komunë, që nga punësimet partiake e deri tek tenderomania”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/