Dy partitë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë vendosur që të rikthehen në sallën e Kuvendit të Kosovës. Ato do të marr pjesë në seancën e së enjtes të thirrur nga Kryesia e Kuvendit.
Të enjten me fillim nga ora 16:00, do të mbahet seancë solemne në Kuvendit të Kosovës, e cila ka të bëjë me ka të bëjë me rekomandimin nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, i cili pritet të ndodh sot, si dhe me vizitën në Kosovë të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila së bashku me dy paritë tjera opozitare, Vetëvendosje dhe Nisma, kanë braktisur punimet e Kuvendnit të Kosovës, do të jetë e pranishme nesër në seancë, kanë bërë të ditur zyrtarë të kësaj partie.
Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë për lajmi.net se deputetët e kësaj partie do të jenë nesër në seancë.
“Në pjesën ceremoniale ku do të jetë e pranishme edhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, deputetët e AAK-së do të jenë në seancë”, ka thënë Nitaj.
Edhe deputetët e Nismës për Kosovën do të jenë në seancën e së enjtes. Këtë e ka konfirmuar Valdete Bajrami shefe e Grupit Parlamentarë të kësaj partie.
“Po, Nisma nesër do të marr pjesë në seancën solemne”, ka thënë Bajrami për lajmi.net.
Ndërsa partia më e madhe opozitare Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk ka vendosur për këtë.
Zëdhënësi i kësaj partie, Frashër Krasniqi ka thënë për lajmi.net se Grupi Parlamentar i VV-së do të mbajë gjatë ditës dhe do të vendosin.
Ndryshe, partitë opozitare kanë bojkotuar punimet e Kuvendit të Kosovës, si shenjë proteste ndaj Qeverisë. Ata kanë thënë se në Kuvend do të kthehen varësisht prej temave që do të jenë në rend dite.