Përpjekja e Qeverisë së Kosovës për ta rikthyer sërish në Kuvend çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, do të ngjallë sërish tensione.
Kështu ka bërë të ditur deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj- Bujupi, e cila ka theksuar se në rast se një gjë e tillë ndodhë atëherë do të ketë tensione brenda dhe jashtë Kuvendit, si dhe rezistencë gjithë popullore.
Njëzëri me Vetëvendosjen është edhe partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Të pyetur se a do të bashkohen në rast se thirret protestë për Demarkacionin dhe se a do ta shohim një opozitë të bashkuar sërish brenda Kuvendit, në AAK kanë thënë se opozita është e bashkuar sa i përket çështjes së Demarkacionit.
“E para opozita është e bashkuar në qëndrime për çështjen e Demarkacionit, dhe kjo pyetje as që shtrohet më. Këtë e ka dëshmuar tash e një vit e gjysmë, në të gjitha rastet e mundshme kur është diskutuar kjo çështje”, ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj.
Nitaj ka shtuar se të një mendje me shpjegimet e AAK-së, kryesisht, por edhe të partive të tjera opozitare, kanë qenë edhe ekspertët e kësaj fushe, në debatin e organizuar në Kuvendin e Kosovës, që nga hartografët, e deri të specialistët e së drejtës ndërkombëtare.
“Në një mendje me ekspertizën e ekspertëve dhe të partive opozitare, por edhe të, jo pak deputetëve të shumicës, kanë qenë qindra mijëra njerëz, duke përfshirë edhe ata të zonave kufitare, të cilët kanë protestuar për më shumë se një vit e sa. Kjo është gjendja faktike, të gjitha zhvillimet tjera, se si do të ndodhin janë hipotetike”, ka thënë Nitaj.
“Na ka marrë shumë kohë dhe energji kjo çështja e Demarkacionit dhe është koha që për këtë temë, Qeveria të sillet si qeveri e jo si OJQ!”, u shpreh Nitaj.
Edhe Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën tha se e kundërshtojnë marrëveshjen aktuale për Demarkacionin.
“Këtë version të marrëveshjes për demarkacionin do ta kundërshtojmë, kjo pasi që z.Mustafa nuk po pranon që ta rishikojë. Këtë marrëveshje ju e dini që nuk e kanë përkrahur edhe një numër i madh i deputetëve të pozitës. Pra, z.Mustafa e ka të kotë sepse populli jonë nuk mashtrohet me lojërat të cilat po i luan ky akademik me kreun e Akademisë së Shkencave”, tha ajo.
Ndërkaq, sot Komisioni i ekspertëve për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës, në publikimin e draft-raportit të parë rreth gjetjeve për Demarkacionin me Malin e Zi ka konstatuar se Çakorri gjendet jashtë territorit të Kosovës. /Telegrafi/