Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar ndaj propozimit të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me pagimin e rrymës për serbët në katër komunat veriore.
Në reagimin e AAK-së thuhet se 11 milionë euro është shuma të cilën duhet ta paguajnë shumica e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për një pakicë e cila vet dhe në bashkëpunim me Serbinë, sfidon institucionet tona.
“Ky është propozimi, i cili kaloi sot nga deputetët e VV-së në komisionin përkatës”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi.
Më tej në reagim thuhet se është e habitshme, që pas arritjes së pavarësimit energjetik, qeveria e Kosovës të bie në shantazh të serbëve të veriut.
“Përpos dëmit financiar në buxhetin e vendit, i cili ndërtohet me djersën dhe kontributin e shumicës prej nesh, nga ky veprim, kemi një zinxhir të dëmeve të tjera”.
Sipas AAK-së me këtë, “Kuvendi pajtohet që Republika e Kosovës, nuk ka potencial të jetë vend jo diskriminues e shtet i së drejtës dhe është shtet që inkurajon shkelësit e ligjit, ta keqpërdorin rrymën, duke e shfrytëzuar jo racionalisht dhe madje duke e shfrytëzuar me qëllime të dëmtimit të kapacitetit energjetik të vendit”.
AAK thotë se “kjo pastaj rezulton edhe me blerjen e energjisë, kur ajo nuk mjafton, duke ndikuar në rritjen e kostos”.
“Në momentin kur kemi procesin e Brukselit, kjo dëshmon që qeveria nuk ka kapacitet të zbatojë ligjin efektivisht në tërë territorin e Kosovës, e as të vazhdojë integrimin e pjesës veriore të saj”.
“Ky është zhvillim i tmerrshëm, në një kohë pandemie, kur buxheti dhe ekonomia familjare e njerëzve që e duan Kosovën po sfidohen” thuhet në reagimin e AAK-së.
Ndryshe, edhe sot është zhvilluar debat parlamentar për rrymën e shpenzuar nga serbët në katër komunat veriore.
Dy propozim rekomandime sot ka paraqitur Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me pagimin e rrymës për serbët në katër komunat veriore.
Propozimi i deputetes së Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila i cili mori mbështetjen e Komisionit me 6 vota për dhe 3 kundër, ishte që KOSTT-i të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe të mos obligohet Qeveria për këtë.
Sipas saj, obligim i qeverisë mbetet që të zgjidhë këtë çështje për shtrimin e autoritetit në fushën e energjisë brenda 6 muajve në veri. Ndërsa, kundër kësaj ishte kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala i cili theksoi se nuk duhet legalizuar kjo çështje për qytetarët serb në veri.
Kompania publike KOSTT ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi edhe 11 milionë euro për mbulimin e humbjeve për prodhim të energjisë në pjesën veriore të Kosovës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë një raportimi në Komisionin parlamentar për Ekonomi, e ka quajtur këtë kërkesë sfidë të madhe, por ka thënë se kjo është e trashëguar. Ajo ka thënë se Qeveria po e harton një plan për të zgjidhur për kohë afatgjate problemin.
Ndryshe katër komunat veriore që nga paslufta nuk kanë paguar për shpenzimet e energjisë elektrike. /Telegrafi/