Telegrafi

A do të ndalet apo do të vazhdojë Fondi për Kuadro?

Fondi qeveritar i cila ka përkrahur një numër të kuadrove që kanë punuar në Qeverinë e Kosovës, mund edhe të mos vazhdojë. Madje këtë e ka rekomanduar edhe Komisioni qeveritar it themeluar për ketë çështje.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar i cili është edhe kryetar i Komisionit për Shqyrtimin e Fondit për Kuadro, ka thënë se pas takimeve të Komisionit kanë rekomanduar pezullimin e fondit.
“Komisioni është i mendimit që Fondi për Kuadro të mos vazhdohet, por vendimi përfundimtar merret në Qeveri. Ai është i pezulluar, por pastaj pas analizës të vendoset nga ana e Qeverisë”, tha ministri Mahir Yagcilar për Telegrafin.

Sipas tij, pavarësisht rekomandimeve të Komisionit, ekzistojnë mundësitë që fondi të vazhdojë edhe më tutje – por gjithsesi varet nga vendimi i Qeverisë.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 14 janarit kishte marrë vendim për pezullimin e fondit për kuadro, ku ishte premtuar se pas dy jave do të dalin me një vendim përfundimtar – vendim i cili edhe pas gati tre muajsh nuk është marrë.

Por, burime të Telegrafit kanë thënë se Qeverisë i kanë dalë pengesa ligjore për ta anuluar në tërësi Fondin për Kuadro. /Telegrafi/