Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 26.888 raste nga 113.738 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 784 raste të vdekjes.
IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 16.685 raste, kurse numri i rasteve aktive është 9.418.
Ndryshe, një ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se janë duke komunikuar në dy nivele për sigurimin e vaksinës antiCOVID.
Zemaj ka bërë të ditur se në momentin që vaksina del në treg e kanë obligim ligjor të sigurojnë dhe ta shpërndajnë te qytetarët.
“Interesimi dhe angazhimi ynë që të jemi pjesë e sigurimit të vaksinës kundër Covid-19, është në mënyrë permanente. Janë dy nivele të komunikimit është konserciumi COVAX që ne jemi pjesë e sajë që nga fillimi i interesimit dhe përmes OBSh-së. Përqindja e caktuar është e siguruar në momentin kur del në përdorim e kemi edhe obligim ligjor që ta sigurojmë të tërën dhe ta shpërndajmë te qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Zemaj.
Ndërkaq, sot në orën 18:00 hyjnë në fuqi masat e reja të miratuara një ditë më parë nga Qeveria e Kosovës.
Me masat e reja komunat do të ndahen në tri kategori sipas shkallës së rrezikut nga përhapja e infeksionit.
“Komunat me rrezik të ultë – deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të gjelbër); Komunat me rrezik të mesëm – nga 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të verdhë); Komunat me rrezik të lartë – mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të kuqe)”.
Me këto masa Qeveria ka ndaluar të gjitha tubimet publike, ahengjet e dasmat, ndërsa është rregulluar edhe orari i gastronomisë, qendrave tregtare dhe transportit publik sipas kategorizimit të komunave. /Telegrafi/