Ish-gjyqtari Eduardo Iturralde Gonzalez kishte lëshuar një deklaratë bombë, duke pohuar se 90 për qind e zyrtarëve të ndeshjes në Spanjë mbështesin Real Madridin dhe 10 për qind të tjerë anojnë drejt Barcelonës.
Iturralde, i cili drejtoi pothuajse 300 ndeshje në La Liga përpara se të pensionohej në vitin 2012, tha se fakti që kaq shumë njerëz në vend mbështesin Madridin që në moshë të re përkthehet në përbërjen e gjyqtarëve të ligës.
“Rreth 90 për qind shkojnë me Realin dhe pjesa tjetër me Barcelonën”, deklaroi ai për Cadena Ser kur u pyet se sa zyrtarë bëjnë tifo për Madridin apo Barçën. “Pavarësisht nëse tifozët e Barçës pëlqejnë apo jo, 70 për qind e popullsisë spanjolle, duke përjashtuar Kataluninë, janë mbështetës të Real Madridit”.
“Ka më shumë tifozë të Barçës këto ditë sepse brezi i ri ka parë trofetë që fitoi nën Pep Guardiolan. Por para ‘epokës së Lionel Messit’, sa njerëz e mbështesnin Madridin në Spanjë? Rreth 70 për qind?”.
“Personalisht, nuk më intereson njëra apo tjetra. Unë jam tifoz i Athletic Bilbaos. Të gjithë e dinë që unë jam me ta, por do të shkoja kundër tyre për të qenë i drejtë”, ka shtuar më tej ai.
Kjo deklaratë e tij ishte bërë në vitin 2021, duke e rikthyer atë në fokus pas skenave të diskutueshme në El Clasicon e së dielës (21 prill), ku dyshohet se Barcelonës nuk iu pranua një gol dhe një penallti, ndërsa u dha një penallti në rastin e Lucas Vazquez. /Telegrafi/