Site icon Telegrafi

9 armë zjarri, 200 fishekë e municione të ndryshme – policia tregon se çfarë sekuestroi gjatë aksionit në rajonin e Mitrovicës

Policia e Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me aksionin që u zhvillua sot në jug dhe veri të Mitrovicës.

Përveç në këto dy komuna, aksioni u zhvillua edhe në Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq duke përfshirë gjithsejtë 21 lokacione.

“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të mbështetura nga njësi relevante policore dhe Inspektorati Policor i Kosovës, me datën 19.03.2025, pas hetimeve disa mujore, ka bërë realizimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku janë kontrolluar gjithsej 21 lokacione në Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lexo po ashtu Detaje nga aksioni i policisë në Mitrovicë, shoqërohen 16 persona - 13 prej tyre dërgohen në mbajtje

Policia tutje ka bërë të ditur se nga ky operacion policor janë shoqëruar në Polici gjithsej 16 persona lidhur me dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘detyrim’ si dhe ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’.

Si dëshmi materiale gjatë kontrollit janë sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR.

“Pas intervistimit lidhur me rastin, me vendim të prokurorit, 13 persona shkojnë në ndalim prej 48 orësh”, ka njoftuar policia. /Telegrafi/

Exit mobile version