82 prokurorë nga prokuroritë publike në të gjithë Maqedoninë e padisin shtetin para gjykatave të vendit për mospagesën e shtesave në pagë prej 23.5 milion denarë, ose rreth 400 mijë euro, pa kamatë dhe shpenzime gjyqësore, njofton “Makfaks”.
Shuma së bashku me shpenzimet gjyqësore dhe me kamatën është thuajse e dyfishtë. Informacionin e konfirmuan nga Ministria e Drejtësisë. Sipas informacioneve kanë paditur prokurorë nga Shkupi, Gostivari, Velesi dhe nga qytete tjera të Maqedonisë , përcjell Telegrafi Maqedoni.
Prokurorët publik dhe gjykatësit nga viti 2015 duhet të marrin paga më të larta për punën jashtë orarit dhe për punën në festa prej 35% deri në 50%.
Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskska deklaroi se paditë janë nisur para se të bëhet ministre e Drejtësisë dhe për këtë çështja ka biseduar me Prokurorin Publik dhe me ministrin e Financave.
“U njoftova menjëherë kur hyra në funksion. Biseduam me Prokurorin Publik dhe me ministrin e Financave për gjetjen e mjeteve për zgjidhjen e problemit jashtë procedurave gjyqësore”, tha Deskoska duke shtuar se Prokuroria Publike ka buxhet të veçantë me të cilën disponon në mënyrë të pavarur.
Nga ministria e Drejtësisë thonë se pjesërisht janë siguruar mjete në buxhetin për këtë qëllim, por nga kjo pikë duhet të paguhet shtesat e shërbimit të Prokurorisë dhe obligimeve tjera ndaj personave fizik dhe juridik të Prokurorisë Publike./Telegrafi/