Site icon Telegrafi

80 zyrtarëve policorë të komunitetit serb iu pranua dorëheqja

Policia e Kosovës ka njoftuar se 80 zyrtarëve të komunitetit serb, të përfshirë në listën e njoftimit të dorëheqjeve, iu është pranuar dorëheqja.

Policia ka bërë të ditur se ndaj 80 zyrtarëve ka vazhduar procesi i njoftimit dhe lëshimi i vendimit mbi dorëheqjen.

Në njoftim thuhet se “Policia e Kosovës (PK), referuar interesimit të mediave dhe në vazhdën e njoftimit të opinionit publik, lidhur me paraqitjen e dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb, ju informon se: Pas pranimit të pakove të dorëheqjeve nga punonjësit policorë, Policia e Kosovës sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për Policinë Nr. 04/L-076, Ligjin Nr. 03/L-212 i Punës, Udhëzimin Administrativ Nr.01/2021 për Marrëdhënien e Punës në Policinë e Kosovës, Udhëzimin Administrativ Nr.04/2019 për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe procedurave standarde të operimit, ka vazhduar trajtimin dhe shqyrtimin e të gjitha njoftimeve/kërkesave për dorëheqje. Referuar analizës së pakove të dorëheqjeve nga PK-ja dhe informacioneve zyrtare të pranuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) lidhur me rastet e hapura penale/apo administrative në proces, ka rezultuar se tetëdhjetë (80) zyrtarëve të përfshirë në listën e njoftimit të dorëheqjeve iu është pranuar dorëheqja. Ndaj të njëjtëve ka vazhduar procesi i njoftimit dhe lëshimi i vendimit mbi dorëheqjen”.

“Procesi i pakove të dorëheqjeve për punonjësit e tjerë, siç ka potencuar Policia, është duke vazhduar sipas procedurave dhe afateve ligjore në fuqi dhe të njëjtat janë në proces të analizës dhe shqyrtimit, përderisa punonjësit e tjerë në proces, do të ftohen për kompletimin dhe vazhdimin e procedurave të mëtejme”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, ku për të gjitha procedurat e mëtejme rreth këtij procesi do t’iu mbajë të informuar.

Qindra qytetarë serbë të Kosovës, kryesisht nga katër komunat veriore të vendit, kanë hequr dorë nga pozitat e tyre në institucionet e Kosovës që nga 7 nëntori, në kundërshtim të vendimit për riregjistrimin e targave të veturave. Në mesin atyre që kanë dhënë dorëheqje janë edhe 578 zyrtarë policorë të komuunitetit serb.  /Telegrafi/

Exit mobile version