Telegrafi

78 vjeçari nga Hajvalia, që erdhi nga Zvicra enkas për të votuar

Dëshira që me votën e tij të kontribuojë në zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm të Komunës së Prishtinës, ka bërë që Liman Hajdari nga Hajvalia, që jeton në Zvicër, të vijë me bashkëshorten në Kosovë, për të votuar në balotazhin për kryetar të komunës.

Pasi kishte kryer votimin Hajdari tha për Telegrafin se në Zvicër po kanë probleme për të votuar, për arsye se edhe pse po i dërgojnë dokumentet në rregull, nga Kosova [KQZ] nuk po i telefonojnë.

“Prej Zvicrës kemi ardhur specifikisht për të votuar, sepse me letra atje nuk po mundemi me votu sepse nuk po na telefonojnë prej Kosovës. Kemi ardhur veç për me e qit votën në kuti. Unë për të votuar kam ardhur me bashkëshorten në Kosovë”, thotë Liman Hajdari.

Ndërsa, për një qytetar kishte lëshuar orarin e punës për të votuar në qendrën e votimit në shkollën e Hajvalisë.

“Unë kam ardhur gjatë orarit të punës për të votuar për një të ardhme më të mirë. Presim vende të punës më shumë”, thotë  Leutrim Sopjani, për Telegrafin.

Problemet shëndetësore nuk e kanë penguar Irfan Sopjanin me nevoja të veçanta që ta ushtrojë të drejtën kushtetuese për të votuar.

“Nuk kam pasur vështirësi. Kështu më ka ra fati edhe sot çdo gjë mirë shkoi. Kisha ftu të gjithë qytetarët për të votuar pavarësisht kënd e votojnë ”, tha Sopjani./Telegrafi/