Site icon Telegrafi

7 deputetë të PD-së i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë ngritjen e një komisioni për verifikimin e investimeve strategjike

Shtatë deputetë të Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike i ka bërë kërkesë Kuvendit për ngritjen e një Komisioni të posaçëm për verifikimin e investimeve strategjike.

Deputetët e PD-së deklaruan të mërkurën se janë nisur nga dyshimet për një korrupsion në rastin e Portit të Durrësit, apo rastet e bëra publike për aktorin Gazmend Paja, apo bashkëshortin e ministres Olta Xhacka, për ngritjen e këtij Komisioni.

Shtatë deputetë janë Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Lefter Gështenja, Arbi Agalliu dhe Ferdinand Xhaferraj.

Synimi i deputetëve është verifikimi i procedurave të dhënies së statusit të investitorit strategjik.

“Me qëllim shqyrtimin e të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike, vlerësimin e mundësisë për hartimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë” me qëllim parandalimin e të gjitha praktikave të paligjshme, abuzive apo korruptive, duke pasur parasysh edhe rëndësinë thelbësore që ka për ekonominë tonë rritja e përthithjes së investimeve vendase dhe të huaja, nëpërmjet procedurave të ligjshme, transparente dhe meritokratike, çmojmë të nevojshme ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Investimet Strategjike”, thuhet në kërkesën e 7 deputetëve të PD-së. /Euronews Albania/

Exit mobile version