Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për një rast të ngacmimit seksual që ka ndodhur dje në Podujevë.
Telegrafi mëson se i dyshuari është 62-vjeçar, ndërsa viktima 17.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, ka konfirmuar për Telegrafin se i dyshuari është ndaluar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar është ndaluar një person i dyshuar, për shkak të veprës penale “Ngacmimi seksual”.
I njëjti me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje, derisa në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast”, ka thënë Ulaj.
Për rastin sot ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh.
“Podujevë 25.07.2022 – 17:00-18:00. I dyshuari mashkull kosovar ka ngacmuar seksualisht viktimën mashkull kosovar-të mitur. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje për 48 orë. Rasti nën hetime”, thuhet në raport. /Telegrafi/