Site icon Telegrafi

60 milionëshi i Fondit të Rimëkëmbjes Ekonomike – kështu do të shpërndahet për bizneset

Hapja e disa bizneseve në Prishtinë | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Bizneset të cilat kanë pasur humbje si pasojë e pandemisë COVID-19 do të ndihmohen nga Fondi për Rimëkëmbjen Ekonomike, ku Qeveria e Kosovës nga ky Fond, i cili kap vlerën 365 milionë euro, ka ndarë 60 milionë euro, për subvencionimimin e pagave për bizneset aktive.

Përveç kësaj shume, janë ndarë edhe 27 milionë euro të tjera për ndihme ndaj familjeve me asistencë sociale, subvencionim në bujqësi dhe për ndërmarrësi.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në prezantimin e këtij propozimi, kishte thënë se, kjo përfshinë edhe bizneset e reja të regjistruara nga fillimi i vitit deri në muajin gusht 2020.

“Sipas Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe sipas vendimit të Qeverisë së datës 13 gusht, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit ndahen 60 milionë euro, ndarja behët për subvencionimin e pagave për bizneseve aktive bazuar me numrin e të punësuarve, të deklaruar në deklaratën e tatimit të muajit dhjetor 2019 që plotëson kushtet në vijim: të kenë statusin e tatimpaguesit aktiv për muajin korrik dhe të kenë të dorëzuar deklaratën tremujore”, kishte thënë Bajrami, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Ekzekutohen pagesat prej 37.7 milionë euro ndihmë për bizneset në kuadër të Fondit të Rimëkëmbjes

Sipas saj, nga ky vendim nuk do të përfitojnë ndërmarrjet publike dhe bizneset që e kanë të rregulluar tregun nga rregullatorët.

“Nga ky vendim nuk do të përfitojnë ndërmarrjet publike dhe bizneset që e kanë të rregulluar tregun nga rregullatorët. Subvencionimi përfshin edhe për bizneset e regjistruara për periudhën janar-gusht 2020, ku në këtë rast subvencionimi bazohet në numrin e të punësuarve për muajin korrik 2020”, ka shtuar ajo.

Në kuadër të zbatimit të Fondit të Rimëkëmbjes Ekonomike, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka ekzekutuar të martën pagesën e parë për bizneset në vlerë prej 37 milionë e 710 mijë e 730 euro për 15,745 biznese, të cilat i kanë plotësuar kushtet në këtë fazë.

Pjesa tjetër e vendimit do të zbatohet në ditët në vijim ku do të përfitojnë të gjitha bizneset, të cilat kanë aplikuar sipas kritereve të parapara

Lidhur me këtë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në profilin e tij në Facebook, ka publikuar një tabelë, ku tregon që më së shumti do të përfitojnë bizneset e vogla deri në 50 punëtorë.

“36,679 biznese të cilat kanë deklaruar 206,852 të punësuar do të përfitojnë nga ky Fond. 37.3 milionë euro u janë ndarë [sot] mbi 15,500 bizneseve. 22.7 milionë euro do t’ju ndahen edhe bizneseve tjera, sapo t’i përditësojnë të dhënat në EDI. Struktura e bizneseve përfituese siç është prezantuar [në tabelë], tregon që përmes kësaj mase më së shumti përfitojnë bizneset e vogla të cilat punësojnë prej 1 deri në 50 punonjës”, ka shkruar Hoti, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Në përpjekjen e shtatë, miratohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike

Po ashtu, Qeveria ka paralajmëruar se në pjesën e dytë të muajit tetor dhe nëntor pritet të ndahen edhe ndihma të tjera financiare për bizneset.

Kosova deri më tani ka zbatuar Pakon Emergjente Fiskale, në vlerë të rreth 180 milionë eurove. Kjo Pako, e cila kishte për qëllim të zbuste problemet ekonomike dhe sociale, ishte miratuar në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me COVID-19, nga Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti.

Kurse, disa nga masat e saj janë duke u zbatuar pas ardhjes së Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.

Të hënën, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka votuar sot në lexim të parë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ky Projektligj kishte dështuar të votohej për gjashtë herë që nga muaji gusht kur ishte prezantuar për herë të parë para deputetëve.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version