Site icon Telegrafi

58-vjet nga vdekja e mbretit Ahmet Zogu

​Ahmet Zogu u lind në Burgajet të Matit, më 8 tetor 1895. Ishte politikan shqiptar, ministër i Brendshëm (30 janar, 1920 – 14 nëntor, 1920), kryeministër i Shqipërisë (1922-1924), president (1925 – 1928) dhe mbret, 1 shtator1928 – de facto 7 prill 1939 pas pushtimit italian, ndërsa, de jure më 2 janar 1946 pas shpalljes së Shqipërisë Republikë.

Më 9 prill 1961, Ahmet Zogu shuhet në Spitalin e Sursnes afër Parisit në orën 16.00, në moshën 65-vjeçare.

Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësues privat si Sali Toron, Hysen (Efendi) Cekën dhe Dervish Himën për gjuhën shqipe, Hafiz Muharremin për gjuhën turke, deri në moshën 13-vjeçare.

Më 15 qershor 1905, largohet për në Stamboll dhe fillon studimet në Lyce Imperial de Galatasaray, qendra e atëhershme e Perandorisë Osmane në rënie, që kontrollonte Shqipërinë dhe më vonë në akademinë ushtarake deri më 1912.

Gjatë Luftës së Parë Botërore doli vullnetar në krah të Perandorisë Austro-Hungareze.

Mori mësimet në gjuhën gjermane dhe thelloi njohuritë në artin ushtarak dhe në diplomacinë perëndimore. Mbas vdekjes së babait të tij Xhemal Pasha Zogu, ai u bë i zoti i shtëpisë së tij dukë u mbështetur nga nëna ë tij, Sadije Toptani që më pas u bë nëna mbretëreshë. Në këtë kohë 13-vjeç, Ahmet Zogu bëhet kështu shef i krahinës së Matit.

Më 1 nëntor 1912, ai merr pjesë me 2000 matjanët e tij në luftë kundër ushtrive serbo-malazeze duke i ardhur në ndihmë qytetit të Shkodrës i cili mbrohej nga Hasan Riza Pasha dhe daja i tij Esat Pashë Toptani. Por thyhet keq nga serbët në Zadrimë. Më 28 Nëntor 1912, në shpalljen e pavarësisë në Vlorë nga Ismail Qemali, Matin, Dibrën dhe Mirditën do ta përfaqësonte Beu i Vogël, i cili kryesonte delegacionin prej 26 vetash.

Ndërkohë që luftonte, u njoftua se Dibra u pushtua dhe u dogj nga forcat serbe, si dhe po i drejtoheshin Matit. Atëherë Ahmet Zogu me shpejtësi të madhe u nis për në Mat, ku filloi menjëherë përgatitjet për të mbrojtur të paktën Matin nga sulmi.

Mbas përfundimit të kuvendit u kthye në vendlindje, ku organizoi mbrojtjen e krahinave të Matit dhe Dibrës, kundër ushtrisë serbo-sllave. Në Mat Zogu, kishte shumë armatim dhe municione për të cilët kishin nevojë kryetarët e Kosovës e të Dibrës, të cilët vinin në Mat për t’u furnizuar.

Edhe një herë Mati u bë qendra e Shqipërisë dhe bijtë e tij nuk i braktisën të ardhurit por i mbajtën në familjet e tyre të pa ndarë në ushqime. Gjatë qeverisjes së Ismail Qemalit, Zogu mbrojti interesat e kësaj qeverie duke kundërshtuar edhe Esat Pashë Toptanin.

Në kohën e ardhjes dhe përpjekjeve të Princ Vidit që të instalonte qeverinë e tij në Shqipëri, ai e përkrahu atë. Në pranverën e 1914, plasi një kryengritje kundër Vidit (e cila mendohej se ishte ideuar nga Esat Pashë Toptani). Zogu u vu në ndihmë të Princ Vidit dhe kërkoi nga forcat rebele që të tërhiqeshin dhe mos të rrezikonin interesat kombëtare.

Mbas një përgjigje negative nga ana e rebelëve, ai marshon drejt Elbasanit dhe Krujës, i thyen forcat rebele dhe vendoset në Krujë. Gjatë kohës që ishte në Krujë, Princ Vidi largohet nga Shqipëria dhe ia lë administrimin e vendit një përfaqësie ndërkombëtare, kjo bëri që edhe Zogu, të tërhiqej nga Kruja drejt Matit. Në luftën e parë botërore Mbreti Zog u rreshtua ne krah te Austro-Hungarisë dhe vuri në dispozicion të luftës 10.000 luftëtarë (çliron Skraparin dhe Durrësin).

Më 3 mars 1916, Zogu, thërret Kongresin Kombëtar, në Elbasan për të diskutuar mbi fatin e Shqipërisë. Kjo iniciativë e tij, në fillim pati mbështetjen nga Austro-Hungaria, e cila më vonë u tremb dhe e pengoi. Ky akt bëri që Zogu, të tërhiqej nga Lufta e Parë Botërore, si shenjë revolte kundër këtij veprimi. Austriakët, ngaqë ishte nip i Esat Toptanit donin ta internonin.

E ëma, i kërkon ndihmë At Pal Dodajt, atëherë në Rubik, që t’i shpëtonte të birin. At Dodaj, shkon në Burgajet, e vesh si frat Ahmetin e merr në Kuvendin e Rubikut. Me ndërhyrjen e At Dodajt, Zogu shkon me studime në Austri në një Akademi Ushtarake. Në Janarin e 1917, mbas vdekjes së Franc Jozefit, në Vjenë u bë kurorëzimi i Karlit dhe u ftua një delegacion nga Shqipëria. Mbas kësaj ceremonie austriakët i kërkuan Zogut që të qëndronte në Vjenë, vend i cili kishte ofruar bursa për një grusht shqiptarësh, e kishte plane për vendin tonë. Atje takon dhe Çatin Saraçin.

Ai u detyrua të vendosej në Vjenë deri në përfundim të luftës. Në 1919, Shqipëria rrezikonte realisht ndarjen, kështu që Zogu, rikthehet në aktivitetin politik duke kërkuar që të mbahej një kongres kombëtar për të mbrojtur fatet e Shqipërisë, kongres që u mbajt në Lushnjë me 21-31 janar 1920 i siguruar me 9,000 vete nga ai (Kongresi e emëroi ministër të Brendshëm).

Më 11 shkurt 1920, pas kundërshtisë italiane për të mos lejuar vendosjen e qeverisë në kryeqytetin e vendit në Durrës, Zogu çan barrikadën dhe siguron vendosjen e qeverisë dhe Këshillit të Naltë në Tiranë. Më 6 mars 1920 së bashku me ministrin e Drejtësisë bën bashkimin e Shkodrës me pjesën tjetër të vendit.

Në shkurt–nëntor 1920 stabilizon rendin në Shqipëri. Në nëntor 1920 suksesi i tij ngjall xhelozi dhe si pasojë e saj, qeveria jep dorëheqjen. Më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Partisë Popullore në Këshillin Kombëtar.

Më 4 nëntor 1921, emërohet nga qeveria, komandant të operacioneve ushtarake për krahun lindor kundër serbëve. Më 14 dhjetor 1921 pas shtypjes së grushtit të shtetit vjen në Tiranë dhe siguron qetësinë e vendit. Më 24 dhjetor 1921 emërohet sërish ministër i Punëve të Brendshme.

Më 1922 ndryshon mbiemrin, duke hequr prapashtesën turke -olli, dhe duke lënë thjesht Zogu. Në mars 1922 i bën ballë rebelimin të forcave opozitare duke ruajtur kryeqytetin nga anarkia. Më 2 dhjetor 1922 për herë të parë emërohet kryeministër.

Në këtë post, Zogu ishte i pari që nisi punën për hartimin e ligjeve organike të ministrive. Për këtë qëllim ai ngriti grupet e ekspertëve me nga dy përfaqësues për çdo ministri.

Në shtator 1923 Zogu konfirmohet edhe si kryetar i Partisë Popullore. Në dhjetor 1923 Zogu arrin të sigurojë numrin më të madh të votave në zgjedhjet për Kuvendin Kushtetues, por pa arritur numrin e duhur për krijimin e qeverisë së re.

Për herë të parë ai zgjidhet me dy mandate, në Dibër dhe në Durrës. Më 23 shkurt 1924 për shkakun se Zogu me anë të një koalicioni me independentistët siguroi një shumicë të re, iu organizua një atentat brenda Kuvendit Kushtetues.

Zogu plagoset gjatë hyrjes së tij në parlament nga Beqir Valteri me 24 shkurt. Tek Zogu po hynte në derë Valteri, i cili qëlloi me qetësi tre herë mbi trupin e Ahmet Zogut. Zogu mori tre plumba, një në dorë, një në kofshë dhe një në bark.

Në sallën e parlamentit pllakosi një atmosferë tepër e rëndë, pasi duke qenë se shumica e deputetëve ishin të armatosur, ekzistonte rreziku i një përleshjeje të armatosur mes palëve kundërshtare.

Pas disa sekuencave të frikshme Beqir Valteri u ndalua dhe Eljaz Vrioni mori fjalën për të qetësuar situatën, ndërsa Zogu nga vendi dhe me zë të lartë foli: “Zotërinj, nuk është hera e parë që ngjet një gjë e tillë, ndaj ju lutem miqve të mi ta harrojnë për një çast atë çfarë ngjau dhe të merren me vonë me këtë punë”. Kjo ndërhyrje e Zogut dhe e Vrionit shmangu një kasaphanë të vërtetë në sallën e Asamblesë. Iu afrua Eqrem Bej Vlora me dr. Simonidhin që verifikoi dëmin që kishin bërë dy plumba që e kishin marrë kalimthi duke e çarë thellë, njëri në kofshë e tjetri në baqth; plagët u lidhën përkohësisht. I shoqëruar me një eskortë të fuqishme, kryeministri u strehua në shtëpinë e tij, dhe filloi të kurohej pa problem nga që plagët ishin shumë më të lehta se sa që ishin pritur, plagë të cilat nuk penguan të priste as vizitat e miqve. Madje Zogu përfitoi nga rasti të takohej vetë me atentatorin. Më tej jep dorëheqjen. Gjendja acarohet.

Në maj–qershor 1924 opozita organizon një grusht shteti. Qeveria “Vrioni” që u rrëzua më 10 qershor 1924 e kishte emëruar ditët e fundit të saj, komandant për shtypjen e grushtit të shtetit në veri.

Në qershor 1924 për të mos i dhënë rrugë gjakderdhjes, Zogu largohet në Jugosllavi. Gjykata politike e kundërshtarëve të tij politikë e dënon me vdekje në mungesë. Në dhjetor 1924 me vendim të qeverisë “Vrioni” dhe me përkrahjen e fuqive të mëdha, Zogu rikthen legjitimitetin e rrëzuar në qershor 1924. Më 6 janar 1925 Këshilli i Naltë e dekreton kryeministër dhe ministër të Brendshëm.

Presidenti i parë i Republikës Shqiptare, Ahmet ZoguMë 25 janar 1925 Kuvendit Kushtetues shpalli Republikën Shqiptare. Dhjetë ditë më vonë, Ahmet Zogu u zgjodh nga Kuvendi Kushtetues, kryetar i republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv.

Gjatë kësaj kohe, Ahmet Zogu riktheu stabilitetin në vend, si dhe mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake që forcuan pozitën e Shqipërisë.

Paqëndrueshmëria e stabilitetit politik të vendit në vitet ’20, detyroi një grup parlamentarësh të propozonin shqyrtimin e regjimit shtetëror në Shqipëri, parlamenti vendosi në favor të këtij propozimi. Mbas zgjedhjeve të parakohshme më 25 gusht 1928, u propozua ndërrimi i formës së qeverisjes, u formua komisioni statusor, i cili propozoi ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki.

Ky propozim u hodh në votim dhe parlamenti më 30 gusht 1928, vendosi që Asambleja Kushtetuese të proklamojë Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme.

Më 1 Shtator 1928, Asambleja Kushtetuese proklamoj: “Mbret të Shqiptarëve” nën emrin “Zog I”. Ceremonia e kurorëzimit ishte planifikuar për në orën pesë, por në katër e gjysmë dhoma e bardhë e parlamentit ishte mbushur plot me deputetë, punonjës civilë, kryetarë të fiseve disa të veshur me frakë dhe të tjerë me feste prej leshi të bardhë. Krerët e misioneve të huaja ishin gjithashtu të pranishëm, edhe pse përpiqeshin të mos binin në sy.

Rasti ngrinte pyetje të vështira protokolli, ndaj duke reflektuar verdiktet pezull të qeverive të tyre, diplomatët kishin zgjedhur veshje mëngjesi, pa dekorime. Për të dëshmuar se pjesëmarrja e tyre ishte informale ato u rrasën në turmën e mbledhur në hollin modest, duke ua lënë hapësirën e rezervuar për to korrespondentëve të “Associated Press”.

Ai u betua (Formula e betimit):“Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hedh këmbën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajte Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.

Më 7 prill 1939 duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, largohet nga Shqipëria. Më 8 prill 1939 vendoset në Greqi dhe fillon jetën në mërgim. Duke iu trembur një reagimi negativ nga ana e qeverisë italiane autoritetet greke informuan menjëherë Romën se mbreti dhe suita e tij prej 113 vetash nuk do të lejoheshin që të organizonin kurrfarë veprimtarie politike në Greqi.

Hapi tjetër ishte ushtrimi i një presioni të vazhdueshëm ndaj mbretit që ky i fundit të largohej nga Greqia. Gjithashtu fillon organizimin e rezistencës së armatosur. Më 3 Maj 1939 mbërrin në Turqi, ku pritet nga autoritet më të larta të vendit dhe nga shqiptarët.

Më 30 qershor 1939 niset për në Evropë. Më 2 maj 1939 familja mbretërore e shoqëruar nga tetë vetë mbërriti në Turqi, ku qëndrimi i saj ishte më i këndshëm. Në Stamboll mbreti gjeti shumë përkrahës të tij me të cilët pati mundësi të takohej pasi turqit u ruheshin më pak italianëve sesa grekët.

Për shkak të fjalëve që u përhapen në lidhje me ngjitjen sërish në fron, e kjo mund të bëhej e mundur vetëm me ndihmën e një Fuqie të Madhe, shumë shpejt ai u largua dhe nga Turqia dhe i hodhi sytë drejt Britanisë. Ai e informoi ambasadorin në Ankara për dëshirën e tij për t’u vendos në Londër. Përgjigja i erdhi në mes të qershorit pasi mbreti u zotua se nuk do të përfshihej në asnjë aktivitet politik.

Me qëllim që të shmangte një udhëtim pranë kufijve të Italisë ose përmes Gjermanisë, Zogu dhe suita e tij u detyruan të ndërmarrin një udhëtim të gjatë përmes Evropës Lindore e Qendrore, i cili përfshiu etapa ndalesash në Rumani, Poloni, Lituani, Finlandë e Suedi. Më 2 Korrik 1939, mbërrin në Rumani ku pritet nga Mbreti Karol i Rumanisë.

Më 15 gusht 1939, mbërrin në Paris, ku vendoset dhe merr me qera një shtëpi. Këtu vihet në kontakt me autoritet më të larta të Francës duke u kërkuar atyre leje për të ushtruar njëfarë aktiviteti politik. Kjo kërkesë iu refuzua megjithatë ai qëndroi në Francë deri në prag të pushtimit të saj nga gjermanët.

Më 22 qershor 1941, mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar. Vendoset dhe fillon aktivitetin e tij në Londër. Fillimisht qëndron në Hotelin Ritz dhe më vonë merr me qira një shtëpi në Parmoor. Qëndron në Mbretërinë e Bashkuar deri në përfundim të luftës.

Më 18 mars 1946, vendoset në Egjipt mbasi merr një ftesë nga Mbreti Faruk i Egjiptit. Në pasluftë, më 29 gusht 1955, mbërrin në Francë dhe vendoset në fillim në Paris.

Më 27 prill 1938 martohet me konteshën hungareze Geraldina Appony, ku veshjet e dasmës, si zakonisht, vinin nga dora e Gjon Lacës.

Më 9 prill 1961, Ahmet Zogu shuhet në Spitalin e Sursnes afër Parisit në orën 16.00, në moshën 65-vjeçare./KosovaPress/

Exit mobile version