Këngëtari dhe aktori i falimentuar, 50 Cent, ka deklaruar se fotografitë e tij të postuara në rrjetet sociale, në të cilat ai shihet me shumë para, janë të mbushura me para false.
Pak ditë pasi kishte shpallur falimentimin në korrik, Curtis Jackson kishte publikuar disa fotografi në rrjete sociale me shumë dollarë rreth trupit të tij, madje në njërën kishte shkruar edhe fjalën: “Broke” (Trokë).
Këto dërguan reperin sërish në gjykatë, me ç’rast ai ka deklaruar se këto para nuk janë të vërteta dhe se këtë e ka bërë vetëm për të mbajtur në nivel ‘brendin e tij’.
“Kultura e hip-hopit njihet se lidhja mes artistëve dhe fansave bëhet edhe me para, stoli, produkte dhe reklamime në rrjete sociale”.
“Produktet dhe brendet tani janë duke u reklamuar përmes rrjeteve sociale si mënyrë për t’u lidhur me klientët”.
“Kjo nuk nënkupton që po fsheh asetet e mia ose se kam gënjyer në rastin e falimentimit, asnjëra s’është e vërtetë”, shkruhet në sqarimin e 50 Cent drejt autoriteteve.
Reperi shpalli falimentimin vitin e kaluar, pasi një gjykatë në New York kishte kërkuar që ai t’i paguante afro shtatë milionë dollarë një gruaje që kishte thënë se ai ka postuar një video të saj intime online.