Avokati Asdren Hoxha ka treguar se Cozman në deklaratën e tij në polici ka thënë se ka ndodhur një përleshje të cilën, “Cozman nuk e ka dëshiruar”.
Avokati i reperit Ylber Abdullahu, i njohur me emrin Cozman, ka thënë se klientit i tij dhe dy të tjerëve të përfshirë sot në përleshjen e armatosur në qendër të Prishtinës janë vënë nën masën e ndalimit 48 orësh policor.
“Visari, Ylberi dhe Alberti janë ndaluar nga policia dhe u është shqiptuar masa për 48 orëshe me vendim të prokurorisë së Prishtinës. Paraburgimi është caktuar nën dyshimin se është kryer vepra e tentim vrasjes”, tha avokati Asdren Hoxha për KALLXO.com.
Hoxha ka treguar se Cozman në deklaratën e tij në polici ka thënë se ka ndodhur një përleshje të cilën, “Cozman nuk e ka dëshiruar”.
Sipas Hoxhës, edhe Cozman ka lëndime nga goditjet e palës kundërshtare.
Avokati ka mohuar mundësinë që klienti i tij ta ketë përdorur armën nga e cila reperi nga Shqipëria, Noizy mbeti i plagosur me një plumb dhe u dërgua për trajtim mjekësor në QKUK.
“Klienti im nuk e ka përdorur armën. Nuk e di kush ka gjuajtur me të”, tha Asdren Hoxha për KALLXO.com.