Site icon Telegrafi

42.5 për qind e femrave në moshë riprodhimi në Shqipëri nuk kanë lindur fëmijë, zbulon Censi 2023

Të dhëna të detajuara nga Cens 2023 tregojnë se 10.5 mijë femra të grupmoshës 20-24 vjeç kanë lindur, përkundrejt 63.3 mijë që nuk kanë lindur. Në këtë grupmoshë 85 për qind e femrave nuk kanë lindur ende foshnjat e tyre.

Më tej në grupmoshën 25-29 vjeç sërish dominojnë femrat pa fëmijë, pasi 53 % e tyre nuk kanë lindur ende sipas Censit. Në këtë grupmoshë numërohen 73,826 femra gjithsej, ku 37,679 nuk kanë lindur dhe 22,459 kanë lindur bebet e tyre.
Pas moshës 34 vjeç nisin e dominojnë femrat që kanë kryer lindje. Por ende në grupmoshë 30-34 vjeç 25 % e femrave nuk lindur, ndërsa 75 për qind kanë lindur.

Në grupmoshën 35-39 vjeç ende 15 % e femrave nuk kanë lindur asnjëherë dhe 73 % kanë lindur. Në grupmoshën 40-44 vjeç 12,4 për qind e femrave nuk ka lindur dhe në grupmoshën 45-49 vjeç 11 për qind e femrave nuk kanë lindur. Emigracioni i lartë i meshkujve dhe zhvillimi i personal i femrave po ndikon në normat e fertilitetit.

Në dekadat e fundit meshkujt synojnë të rrisin kapitalin e tyre duke emigruar dhe gratë synojnë të arsimohen. Kjo qasje ka thelluar hendekun në arritjet arsimore mes femrave dhe meshkujve duke bërë që shumë gra të zgjedhin karrierën.

Shtesa natyrore e vendit tonë është tërësisht e varur nga numri i grave në moshë riprodhimi, por ato po pësojnë rënie të shpejtë dhe për më tepër një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk preferojnë të lindin.

Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se në vitin 2023 në të gjithë vendin ishin 508 mijë gra në moshën e riprodhimit (15-49 vjeç) nga mbi 710 mijë që u ishin në Censin 2011.

Rënia e grave në moshën riprodhuese do të ndikojë në normën e ulët të lindshmërisë në vitet në vijim dhe në reduktimin pa kthim të popullsisë. Femrat në grupmoshën 25-29 vjeç janë ulur me 21%.

Rënien më të ulët vetëm -6% e kishin femrat në grupmoshën 30-34 vjeç, teksa reduktimi mbi 30 % është i pranishëm edhe në grupmoshat 40-44 dhe 44-49 vjeç.

Në 2023, në të gjithë vendin, kanë lindur vetëm 22,210 foshnje, niveli më i ulët që nga viti 1934 kur janë raportuar të dhënat zyrtare vjetore, por ndërkohë numri i grave në moshë riprodhimi është mbi 500 mijë, raporton Monitor. /Telegrafi/

Exit mobile version