Site icon Telegrafi

36 të infektuar me coronavirus janë të shtrirë në Klinikën Infektive, 5 prej tyre në gjendje të rëndë

Deri më tani janë regjistruar 140 raste me COVID-19, ndërsa 23 prej tyre janë shëruar. Janë 36 pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive, ku pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë, ndërsa tre po trajtohen në kujdesin intensiv. Të gjithë të tjerët ndodhën në vet izolim në shtëpitë e tyre.

Infektologu Valbon Krasniqi thotë se gjatë ditës priten rezultatet edhe për gjashtë të dyshuar me coronavirus. Derisa shton se fundi i javës së parë dhe java e dytë e muajit prill mund të jenë vendimtare. Për këtë sipas tij, varet se sa po respektohen masat nga ana e qytetarëve.

Krasniqi tregon për gjendjen e pacientëve në Klinikën Infektive, ndërkohë njofton se një pacient po vazhdon të qëndrojë i lidhur me aparatin respirator.

“Për momentin kemi 36 pacientë të shtrirë në Klinikë që janë të konfirmuar me korona virus-infeksion. Ndërkohë që kemi edhe gjashtë të tjerë që do të lirohen gjatë ditës, ata të cilët dje rezultuan negativ, për herë të dytë, dhe tash konsiderohen si të shëndoshë. Vlen të theksohet megjithatë se pesë pacientë nga këta që janë të shtrirë janë në gjendje më të rëndë, tre prej tyre janë në kujdes intensiv të klinikës sonë, dhe njëri prej tyre është i intobuar, i lidhur për aparatin respirator, ndërkohë që gjendja e pacientëve të tjerë paraqitet e mirë dhe është stabile”, thotë Krasniqi, për KosovaPress.

Ndër të tjera, ai thotë se gjatë ditës priten rezultatet edhe për gjashtë persona, të dyshuar me infeksion COVID-19, megjithatë sipas tij numri i tyre mund të ndryshojë gjatë ditës.

“Gjatë orëve të pasdites mbrëmë dhe në orët e paradites sot, kemi gjashtë pacientë që presin rezultatet për ditën e sotme, ndërkohë mund të jenë pranuar edhe persona të tjerë gjatë paradites. Kështu që ky numër ndryshon nga çasti në çast, dhe nuk është se mund të bazohemi shumë. Por, kur të kemi rezultatet në mbrëmje, atëherë mund të flasim për rezultatet. Numri i personave që vijnë në klinikë ndryshon nga ora në orë, sepse disa mund të vijnë gjatë paradites, disa në mesditë, disa të tjerë pas dy orëve, dhe kështu me radhë”, shton Krasniqi.

Krasniqi konsideron se fundi i javës së parë dhe java e dytë e muajit prill mund të jenë vendimtare, megjithatë sipas tij, varet se sa janë respektuar deri më tani masat nga ana e qytetarëve.

“Në bazë të asaj që po shohim me numrin e të infektuarve që po paraqiten brenda ditës, me shkallën e epidemisë në nivel vendi duket që janë respektuar në masë të madhe nga ana e qytetarëve rekomandimet e dhëna nga institucionet tona. Megjithatë një pasqyrë më të qartë për respektimin apo jo të këtyre masave presim ta kemi në ditët në vijim dhe para se gjithash ka fundi i javës së dytë të muajit prill, nga gjysma e prillit e tutje. Atëherë do të varet krejtësisht se a do të kemi fluks të madh të pacientëve apo jo, nga mënyra dhe nga masa se sa janë respektuar këto rekomandime nga ana e qytetarëve”, thekson ai.

Krasniqi thotë se aktualisht numri i të infektuarve në nivel vendi nuk është i madh, ai shpreson se do të vazhdojë kjo shkallë e ulët e përhapjes së pandemisë së vend. E, për këtë këshillon që të qytetarët të respektojnë rekomandimet dhe masat e marra nga institucionet.

“E dimë që mbase është e vështirë për qytetarët të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, por unë ju them keni durim edhe pak, qëndroni në shtëpi, respektoni masat. Nuk mjafton vetëm të qëndroni në shtëpi, sepse ne e dimë që ju duhet të dilni të blini gjërat e nevojshme, vazhdoni të respektoni higjienën personale. Nëse ju nuk e takoni virusin në rrugë, nëse nuk e takoni një person me simptomat e gripit, dhe ju nëse nuk keni prekur gjëra të ambientit të kontaminuar, atëherë gjasat për të marrë infeksionin janë të vogla”, deklaron ai.

Deri më tani janë regjistruar 140 persona të infektuar me korona virus në Kosovë. Prej tyre, 23 janë shëruar, ku gjashtë nga këta janë mbi moshën 60 vjeçare. Ndërkaq, ditë më parë është shënuar viktima e parë nga kjo pandemi, i cili ishte në moshën 84 vjeçare. /Telegrafi/

Exit mobile version