35-vjeçarja e cila u lëndua rëndë të hënën, pasi e zuri një dru që u rrëzua në lagjen “Pejton” në Prishtinë, është dërguar për shërim në Shkup.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Sami Bajçinca – mjek në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku u trajtua e lënduara deri të hënën mbrëma kur edhe u nis për shërim jashtë vendit.
“Mund të konfirmoj se e lënduara është nisur mbrëmë për shërim jashtë vendit. Ka shkuar për trajtim në Shkup, me rekomandim të kirurgëve”, ka thënë Bajçinca.
Sipas tij, lëndimet e 35-vjeçares janë serioze dhe e njëjta rrezikon të mbetet e palëvizshme.
“Gjendja e saj pas trajtimit në QKUK ishte stabile. Por, lëndimet janë të rënda. Ajo e ka të humbur përkohësisht lëvizjen dhe rrezikohet të mbetet e palëvizshme për tërë jetën”.
Përveç se la të lënduar rëndë 35-vjeçaren, rrëzimi i një druri në rrugën “Vaso Pasha” në Prishtinë ia mori jetën një 30-vjeçari nga Podujeva. /Telegrafi/