Telegrafi

34-vjetori i rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, Kurti: Janë sinonim i shprehjes ‘deri në frymën e fundit’

Në 34-vjetorin e rënies së dy heronjve, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca sot kanë bërë nderime te varrezat e heronjve në lagjen “Velania” të Prishtinës.

Duke i kujtuar me mall e krenari dy dëshmorët e kombit, kryeministri Kurti tha se Afrimi dhe Fahriu janë sinonim i asaj shprehjes së mirënjohur jo vetëm të popullit tonë, “deri në frymën e fundit’’.

“Punuan bashkë, vepruan bashkë për çlirim e për bashkim, për liri e për drejtësi deri në frymën e fundit dhe porsi Rexhep Mala e Nuhi Berisha pesë vjet para tyre, dhanë jetën për Kosovën, për kombin shqiptar”, tha kryeministri Kurti.

“Edhe para Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne e kemi pasur çlirimtaret, edhe para dëshmorëve të fundit të luftës së fundit, ne kemi pasur dëshmorë të kombit, të cilët kanë qenë paravajtës të qershorit të vitit 1999.

Afrimi dhe Fahriu janë sinonim i asaj shprehjes së mirënjohur jo vetëm të popullit tonë ‘deri në frymën e fundit’.

Punuan bashkë, vepruan bashkë për çlirim e për bashkim, për liri e për drejtësi deri në frymën e fundit dhe porsi Rexhep Mala e Nuhi Berisha pesë vjet para tyre, dhanë jetën për Kosovën, për kombin shqiptar. Andaj, ne sot i kujtojmë me shumë mall dhe krenari.

Lavdi, Afrimit, Fahriut dhe gjithë dëshmorëve të kombit!”, tha ai.

Ndërkaq, kryeparlamentari Konjufca duke vlerësuar lart veprën e tyre heroike për çlirimin e Kosovës, tha se Afrimi dhe Fahriu janë pararendës së luftës çlirimtare dhe se me aktin e tyre heroik dhanë porosinë se liria nuk arrihet pa luftë.

“Ata e dhanë porosinë dhe shembullin më të vlefshëm se okupatori nuk largohet nga Kosova pa i kapur populli armët në dorë. Kjo ishte porosia e tyre më e vlefshme dhe më vjen mirë që ata po nderohen dhe vlerësohen gjithmonë. Ne jemi këtu edhe me kryeministrin e Kosovës, me familjarët e dëshmorëve dhe  me bashkëpunëtorët e tyre për t’i nderuar ata”, tha Konjufca. /Telegrafi/