Telegrafi

33 për qind e të punësuarve në Shqipëri nuk deklarojnë pagën reale

Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme disavjeçare, tregu i punës në Shqipëri vuan nga informaliteti i lartë, si në punën e zezë ashtu edhe në nëndeklarimin e pagave.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në draft-Strategjinë e re të Punësimit dhe Aftësive, vë në dukje se rreth 1/3 e punonjësve nuk deklarojnë të ardhura të plota nga punësimi, ndërkohë që punësimi informal në sektorin jobujqësor ishte 29% në vitin 2021.

Financat vënë në dukje se, gjysma e përfaqësuesve të biznesit të intervistuar pohuan se punësimi i punëtorëve me kontrata që raportojnë vetëm pagën minimale është një praktikë e zakonshme.

Deklarimi i pagës minimale është mjaft i përhapur, sidomos në fabrikat ku shfrytëzohet krahu intensiv i punës. Industria tekstile, ajo ushqimore dhe sektori i ndërtimit deklarojnë paga minimale për punonjësit, edhe pse shpesh pagesat janë më të larta. Nëndeklarimet bëhen për të ulur kostot e pagesave të Tatimeve mbi pagën dhe pagesat e sigurimeve shoqërore.

Në mjaft raste, informaliteti në punësim shkaktohet jo vetëm nga mungesa e kulturës për pagimin e detyrimeve apo incentivave për pagesën e këtyre detyrimeve, por edhe për të shmangur deklarimet apo daljen nga skemat e mbrojtjes sociale, veçanërisht në rastet e punësimit sezonal, sikurse është punësimi në turizëm në zonat bregdetare dhe ato rurale.

Sektori i bujqësisë dhe aktivitetet në zonat rurale përbën kategorinë kryesore ku informaliteti, me gjithë incentivat e përdorura për formalizimin e fermerëve në treg.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në vitin 2021, një çerek milion të punësuarish, ose 1 në çdo 5 persona të punësuar në Shqipëri, punon pa pagesë në biznesin e familjes.

Punësimi informal mbetet relativisht më i lartë te të rinjtë, punëtorët me kualifikim të ulët dhe në sektorë të caktuar të ekonomisë, si: bujqësia, ndërtimi dhe shërbimet e ushqimit dhe të akomodimit.

Në vitin 2021 rezulton se vetëm 47.9% të punësuarve, ose rreth 600 mijë nga 1.25 milionë ishin të punësuar me pagë, ndërsa pjesa tjetër janë punëtorë pa pagë që punojnë si të vetëpunësuar apo me familjet e tyre.

Ministria e Financave parashikon se tranzicioni i ekonomisë nga bujqësia drejt industrisë dhe shërbimeve (si dhe drejt ekonomisë së gjelbër dhe digjitale) pritet të ulë gradualisht punësimin informal dhe pa pagë fikse.

Megjithatë, përmirësimi i kushteve për punë të denjë, veçanërisht në sektorët jobujqësorë, si dhe ata që lidhen me shëndetin dhe sigurinë në punë, kërkon përpjekje të reja, raporton Monitor. /Telegrafi/