Telegrafi

2po2 vazhdon sesionin akustik “Future” me Albulena Jasharin dhe Yll Limanin, shpalos detajet e bashkëpunimit të ri (Foto/Video)

Në janar të këtij viti, reperi 2po2 solli një sesion të bukur me këngë të interpretuara live në versionin akustik.

Ai kishte zgjedhur një kolazh këngësh të suksesshme të tij, të cilat në sesionin e parë të titulluar “Future”, i solli në bashkëpunim me artisten Nita Latifi.

Këtë projekt, reperi nga Prishtina nuk po e ndal me kaq, kjo pasi ai së bashku me Oniman, të cilët janë edhe realizues të sesionit, kanë menduar të sjellin “Future 2”, vetëm se kësaj radhe në bashkëpunim me artisten Albulena Jashari, teksa “Future 3” vjen me Yll Limanin.

Në një prononcim për Telegrafin, 2po2 ka shpalosur ekskluzivisht detajet e këtij projekti, duke treguar se ndjehet i lumtur për vazhdimësinë e tij.

“Jemi duke vazhduar sesionin e parë të ‘Future’ me vokalist tjetër dhe me këngë të tjera. Kjo është pjesa e dytë në të cilën vokaliste është Albulena Jashari, por së shpejti do të vijë edhe pjesa e tretë me artistin Yll Limani”, tha 2po2 për Telegrafin.

2po2 dhe Yll Limani në xhirimet e pjesës së tretë të sesionit “Future”

Më tej reperi shtoi se është ndjerë i kënaqur nga sesioni i parë me Nita Latifin ndaj dhe me dëshirë ka nisur realizimin për këtë sesion të dytë, dhe të tretin pas tij.

“Duke e parë suksesin e sesionit të parë, kemi vendosur t’i realizojmë edhe dy pjesë me artistë të rinj, që do ta zëvendësojnë Nita Latifin, për shkak se janë shumë të talentuar, dhe sigurisht dëshira ime është që t’ju jepet sa më shumë hapësirë artistëve të rinj”, përfundoi 2po2 për Telegrafin.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Estrada Shqiptare

Ekipi i Telegrafit ka përcjell nga afër xhirimet e projektit, në të cilin 2po2 dhe Ylli vijnë mjaft të thjeshtë, teksa interpretojnë mjaft mirë live disa nga këngët më të suksesshme të reperit.

Produksioni Imagine Films po kujdesen me profesionalizëm për finalizimin e projektit, gjersa do të publikohet në YouTube në kanalin e Onima Media.

Në vazhdim ju sjellim disa nga imazhe ekskluzive nga prapaskenat e xhirimeve të sesionit akustik të 2po2 dhe Yll Limanit. /Telegrafi/