Site icon Telegrafi

“25 vjet më parë si 13-vjeçare i kam mbijetuar një masakre të ushtrisë serbe” – video e plotë, ku Bogujevci në KiE tregon shenjat e mbetura në duar

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, të hënën ka folur në Parlamentin e Këshillit të Evropës, ku është diskutuar për situatën e sigurisë në veri të vendit, pas agresionit serb të 24 shtatorit.

Bogujevci përpara Asamblesë në të cilën po diskutohej për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ka treguar shenjat në duart e saj, duke thënë se ende nuk ka drejtësi për këtë krim.

“25 vjet më parë si 13-vjeçare i kam mbijetuar një masakre të ushtrisë serbe, që atëbotë ishte udhëhequr nga njerëzit që ende udhëheqin Serbinë tash dhe ishin pjesë e atij regjimi. Si 13-vjeçare unë mbeta e shtrirë në një grumbull të trupave të familjes sime me 16 plumba. Sot kam ende këto shenja në dorë, e pjesët e tjera të trupit tim”- tha ajo.

Bogujevci ka thënë se 25 vjet pas masakrës në familjen e saj, Kosova ende vazhdon të sulmohet.

“E të shoh 25 vjet pas, që vazhdimisht sulmohemi verbalisht dhe në mënyra tjera, së fundi edhe me sulm terrorist, është e papranueshme. Mjaft është mjaft. Kurrë nuk ka pasur kërkim falje, nuk ka pasur asgjë të ndërmarrë për të sjellë drejtësi, jo vetëm për atë çfarë ka ndodhur atëherë, por edhe tash. Njerëzit që kryen sulm terrorist më 24 shtator janë në Serbi, e nuk po gjykohen”, ka theksuar ajo.

Nënkryetarja Bogujevci kujtoi para të pranishmëve që Republika e Kosovës ka bërë gjithë çfarë ka mundur për të ndërtuar një jetë më të mirë për qytetarët e saj, përfshi minoritetet të cilat madje as nuk i quajmë minoritete po komunitete kombëtare. /Telegrafi/

Exit mobile version