Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përkujtuar viktimat, civilë të vrarë në masakrën e Tregut të gjelbër në Mitrovicë më 13 mars 1999.
Në përvjetorin e 25-të, Kurti tha se detyrë e jona që të mos e harrojmë kurrë të kaluarën e errët dhe të punojmë për Republikën demokratike, ku parimet kryesore janë respektimi i të drejtave të njeriut dhe drejtësia.
“Në këtë përvjetor të 25-të, kemi ardhur në Mitrovicë për të nderuar kujtimin e civilëve të vrarë nga forcat e Serbisë në Masakrën e Tregut të gjelbër në vitin 1999. Teksa shprehim dhembjen dhe nderimin tonë për jetët e humbura, theksojmë domosdoshmërinë për drejtësi për viktimat e kësaj masakre dhe qindra masakrave të tjera të kryera nga Serbia në Kosovë”, tha ai.
“Granata supozohet që është shkrepur nga një objekt ushtarak ku ishin të vendosura forcat serbe gjatë luftës 1998-99. Aty sot qëndron Kampi i Policisë së Republikës së Kosovës, që bartë emrin e heroit Enver Zymeri, e që garanton sigurinë, si e mirë publike që u ofrohet të gjithë qytetarëve pa dallim”, theksoi Kurti.
Ndryshe, më 13 mars 1999, në masakrën e Tregut të gjelbër në Mitrovicë, me hedhje granatash nga forcat serbe janë vrarë shtatë civilë: Abaz Mecinaj (1944), Ahmet Strana (1941), Elizabeta Hasani (1994), Ragip Bajrami (1946), Rrahim Peci (1934), Sevdije Selani (1949) dhe Valdete Strana (1977); si dhe janë plagosur 128 të tjerë, shumë prej të cilëve mbetën invalidë. /Telegrafi/