Telegrafi

“Këtu i është prerë barku edhe një gruaje shtatzënë”, Kurti bëri homazhe në përvjetorin e masakrës në familjen Deliu

E plotësuar: Në përvjetorin e 25-të të masakrës në Abri të Epërme të Drenasit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përkujtoi 23 të vrarët e familjes Deliu dhe tre dëshmorët e rënë më 26 shtator 1998.

Kurti theksoi se në këto varreza pushojnë të vrarët, në mesin e tyre të dy gjinitë dhe gjitha moshat, që sipas datëlindjeve, kanë qenë foshnje gjashtë muajshe, deri te pleq 94 vjeçar, të gjithë këta të vrarë nga këmbësoria.

“Këtu i është prerë barku edhe një gruaje shtatzënë e cila është mbytur bashkë me fëmijën e saj të palindur, ndërkaq Diturije Deliu ka qenë foshnjë e cila është gjetur e gjallë në kraharorin me gjak të nënës së vet”, tha kryeministri Kurti.

Teksa përkujtoi të vrarët civilë nga masakra e kryer nga forcat e armatosura serbe mbi familjen Deliu, i Kurti tha se këto janë fakte të pamohueshme të historisë sonë të dhimbshme, por edhe fakte të krimeve të kryera të Serbisë, të gjenocidit të Serbisë.

Ai theksoi se duhet që edhe organet e drejtësisë, e në radhë të parë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, që këta dëshmitarë të gjallë të këtyre familjarëve të vrarë në këtë masakër brutale e mizore, të kontaktohen e të bisedojnë në mënyrë që të kemi akuza, aktakuza dhe dënime ndaj atyre kriminelëve të pa shpirt.

Pas homazheve te varrezat e familjes Deliu, Kryeministri Kurti bëri homazhe te varret e dëshmorëve Valdet Xhemajli, Vesel Demaku e Afrim Hajdaraj. Kryeministri vuri lule te pllaka përkujtimore në nderim të kujtimit të dëshmorëve që ranë në betejën e 26 shtatorit 1998 duke mbrojtur popullatën civile.

25 vjet nga masakra e Abrisë së Epërme, ku nga forcat serbe u masakruan foshnja, gra e pleq

E plotësuar: Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç.

Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve serbe.

Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.

Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. /kp/