Lezha dje u cilësua si kryeqyteti i aksidenteve, megjithatë duket se jo të gjitha përplasjet ishin ngjarje aksidentale.
Aksidenti i ndodhur në hyrje të Shëngjinit rezultoi se ishte i mirëmenduar, pasi sipas policisë, drejtuesi i automjetit në fakt ka tentuar të vrasë ish-bashkëshortin e motrës së tij. Arsyeja kanë qenë konfliktet pas divorcit me të motrën. 25-vjeçari A.U e ka goditur disa herë me automjetin e tij ish-kunatin M.P, i cili po udhëtonte me motor.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në aksin Lezhë-Shëngjin, në vendin e quajtur “Kthesa e Knallës”, ku shoferi i automjetit sipas njoftimit paraprak të policisë kishte përplasur motorin.
Drejtuesi i automjetit ishte larguar nga vendi i aksidentit para se policia të mbërrinte në vendngjarje.
Nga hetimet u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A.U, 25 vjeç, banues në Lezhë, pasi rezultoi se ai e ka përplasur qëllimisht me automjet, motorin që drejtohej nga ish-bashkëshorti i motrës së tij, shtetasi M.P, 32 vjeç, banues në Ishull-Shëngjin.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe motori që u përfshinë në këtë rast.
Vijon puna intensive për kapjen e 25-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë./TCH/